Albcontrol hap tenderin për trajnimin e specialistëve: 130 mijë euro, 5 ditë Anglisht

Albcontrol ka hapur një tjetër tender me vlerë të konsiderueshme përsa i përket shërbimit.

Janë mbi 16 milionë lekë ose rreth 130 mijë euro që do të jepen për të trajtuar në anglisht 45 punonjës.

Tenderi është publikuar në faqen zyrtare të prokurimeve publike, ku thuhet se kohëzgjatja do të jetë vetëm 5 ditë punë, ose e thënë ndryshe 30 orë dhe një ditë test.

Sipas këtyre të dhënave për çdo pjesëmarrës do të paguhet rreth 72 mijë lekë në ditë  ose e thënë ndryshe 600 euro.

Pjesëmarrës parashikohet të jenë Inxhiniero-teknik dhe personel specialist, teksa periudha e përshtatshme për zhvillimin e kursit është Qershor - Shtator.

Qëllimi i trajnimit intensiv të gjuhës Angleze është të sigurojë  që pjesëmarrësit të arrijnë nivelin e kërkuar të aftësisë në gjuhën Angleze, minimalisht Nivelin 3 të ICAO.

Nuk ka të dhëna se cilat janë arsyet e kostos së lartë të trajnimit në gjuhën angleze, por me sa duket angazhimi për tu përshtatur me gjuhën teknike të aviacionit kanë rritur edhe vlerën që do të paguhet.

Tashmë albcontroll ka hapur garën ndërsa kompanitë pjesëmarrëse duhet të kenë eksperienca të mëparshme në trajnime me kosto së paku me 40 për qind të vlerës.