Buxhuku: Kontrabandë masive e karburanteve në Shqipëri, ja si ndikon Enti Rregullator

Gjergj Buxhuku administrator i Konfindustrisë gjatë një interviste për RTV ORA me gazetaren Besmira Palushaj tha se ka shumë mundësi që të bëhet një kontrabandë masive  e karburanteve në Shqipëri.

Gjergj Buxhuku: Sipas të dhënave krahasuese me vendet e tjera ka shumë mundësi që të bëhet një kontrbandë masive e karburanteve.

Gazetarja: Kur flasim për një skemë kontrabande mbi cilat institucione bie përgjegjësia që nuk e kanë ndaluar?

Gjergj Buxhuku: E para është fakti që politika fiskale mbahet në nivele shumë të larta që e nxit vetvetiu kontrabandën. E dyta janë të gjitha institucionet përgjegjëse të kontrolleve të tregut.

Buxhuku thotë se këtu duhet një vullnet politik i plotë që të vër në punë të gjitha institucionet shtetërore që ekzistojnë në letra.

Ai foli dhe për ndikimin që mund të ketë Enti rregullator.

Gjergj Buxhuku: Enti Rregullator do të jepte garancinë që të gjitha uljet në barrën fiskale të karburanteve do të pasqyroheshin tek çmimi i karburanteve për klientët  fundorë, për bizneset dhe për qytetarët. Së dyti do të kishte një rol kontrollimit të cilësisë.

"Së treti është një goditje tjetër shumë e madhe që i jepet xhepave të qytetarëve vjedhja në volumet e shitjes sidomos të gazit të lëngët. Duke i rënditur të gjitha këto kosto njëra pas tjetrës unë vlerësoj që kosto totale e kësaj politike fiskale, e kësaj problematike në formalizimin e tregut, goditja që i jepet ekonomisë shqiptare që i jepet qytetarit shqiptar është shumë e rëndë  shumë e madhe me pasoja dramatike që janë ndjerë e do të ndihen edhe më shumë nëse kjo situatë do të vazhdojë", shprehet ai.