“1001 hallet” e Velipojës, problemet e vjetra pa zgjidhje dhe këtë sezon të ri turistik

Nga infrastruktura tek radhët e udhëtarëve në kufi. Problematikat e zonës turistike të Velipojës vunë përballë njëri tjetrin institucionet në Shkodër.

Sezoni turistik ka nisur, e bashkë me të Velipojën po e shoqërojnë probleme të vjetra. Pasi i uli të gjithë aktorët në një tryezë, prefektja Majlinda Angoni dëgjoi pretendimet e të gjitha palëve.

Bashkia Shkodër thotë se po punon për infrastrukturën, ndriçimin dhe përmirësimin e shërbimit të pastrimit, por kërkon më shumë angazhim nga palët e tjera.

“Që ta dalim në aksion të përbashkët, duhet të lëmë një afat kohor, nëse nuk zbatohet mund të shkojmë deri te penalizimi i kontratës”- Ardit Qylybyli, nënë kryetar i Bashkisë Shkodër.

Policia sfidë raporton të ketë trafikun e rënduar dhe kur zgjidhja mungon nga të tjerët, është detyruar t’i shtojë ngarkesën efektivëve të saj me turn 12 orësh prej datës 1 korrik.

“Ne do të bëjmë maksimumin tonë, pastaj shumë gjëra nuk janë në dorën tonë.”- tha Hamdi Fjota, Drejtor i policisë në qarku Shkodër.

Kufiri përmes marrëveshjeve me palën malazeze, kryen procedura të përshpejtuara për të shmangur radhët. Por problem madhor sheh lëvizjen e motorëve të ujit të paliçensuar dhe vendosjen e bovave nga bashkia.

“Më mirë një mjet I bllokuar se një qytetar I dëmtuar.” – Arben Joca, Drejtor i Kufirit dhe Migracionit

Vetëm 2 subjekte kanë leje për nxjerrjen e motorëve të ujit, pjesa tjetër janë të paligjshëm, ndaj institucionet kërkuan bashkëpunimin edhe te agjensisë së bregdetit, pasi përvojat e viteve të mëparshme nuk kanë qenë pozitive.

“Në vitet tjera motorët duke bërë xhiro  në breg”- tha Ardit Qylybyli, nënë kryetar i Bashkisë Shkodër.

Prefektja Majlinda Angoni kërkoi që këto probleme të marrin zgjidhje në mënyrë që të ketë një sezon të sigurtë turistik.

“Për këtë javë do testojmë efektet e takimit”- u shpreh Majlinda Angoni, Prefekte Qarku Shkodër

Në pikun e saj Velipoja pret deri në 200 mijë pushues.