Talo Çela “zbor” policisë, kishte informacion për vend-ndodhjen, i kërkuari i shpëtoi RENEA-s

Një informacion për lokalizimin e mundshëm të Talo Çelës ka dërguar forcat speciale RENEA në Elbasan mbrëmjen e të enjtes. Dhjetëra banesa dhe biznese janë kontrolluar mirëpo I shumëkërkuari nuk është gjetur duke nxjerrë kështu duarbosh forcat e rendit për të disatën herë. Një ditë pas aksionit që u mbyll pa realizuar qëllimin për të cilin nisi, policia e Elbasanit është ngushëlluar me arrestimin e Kelmend Xhaferrit për të cilin gjykata kishte hequr masën disa muaj më parë.

Talo Çela i shpëtoi edhe njëherë prangave të policisë.

Pas një informacioni për lokalizimin e të shumëkërkuarit Forcat speciale RENEA zbarkuan në Elbasan por edhe kësaj radhe, u kthyen në Tiranë pa I vendosur prangat në duar 51-vjeçarit Talo Çela.

Që kur Nuredin Dumani nisi të dëshmojë për disa nga krimet më të bujshme të ndodhura në Shqipëri vitet e fundit, arrestimi Talo Çelës, ish mikut që ju bë armik është kthyer në një sfidë të papërmbushur për policinë e Shtetit.

Objekt i operacionit ishte edhe Suel Çela, por as ai nuk është gjetur.

Forcat speciale kontrolluan banesa e biznese, por Lala, si njihet ndryshe Talo Çela sërish I shpëtoi arrestimit ashtu siç ka bërë me dhjetëra herë prej vitit 2020, kur për herë të parë u për kapjen e tij u vendos edhe një shpërblim monetar.

Ngushëllim ishte arrestimi “aksidental” Kelmend Xhaferrin, njeriun që u përfshi në konfliktin e përgjakshëm të Elbasanit, 4 ditë para zgjedhjeve të 25 prillit të 2021-shit

Dyshimet janë se Talo Çela ishte i strehuar në një nga vendet e kontrolluara, por arriti të largohet para se të mbërrijnë forcat speciale.

Duket se edhe një herë ishte një hap para strukturave të Shtetit, por drejtori i policisë së Elbasanit, Ardian Çipa kishte një paralajmërim.

“Hetimet për çdo person të kërkuar dhe aq më tepër për personin që ju përmendet janë intensive në rrugën e duhur dhe do ketë rezultate në këtë drejtim” – tha Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan Ardian Çipa.

Mbi bazë të dëshmive të Nuredin Dumanit dhe Henrik Hoxhës, policia e Shtetit goditi 8 grupe kriminale, dhe vuri nën akuzë 32 persona për krime të rënda.

Mes tyre ishte edhe Gentian Sharra, 48 vjeç, i dyshuar si i përfshirë në grabitjen e parave të Rinas, të cilët këtë të premte iu sekuestruan pasuri me vlerë mbi 5 milion euro.

Sipas dosjes hetimore Gentian Sharra, ka qënë dy herë në kërkim policor gjatë vitit 2020, por këto kërkime më pas janë shuar. Tashmë pas vendimit të gjykatës, prokuroria ka bllokuar 7 pasuri të Gentian Sharrës dhe babait të tij, Mustafa Sharra.

Disa nga këto pasuri rezultojnë se janë në pronësi të Mustafa Sharrës qysh prej vitit 1994. Ndërsa në sekuestro u vendosën 40 për qind të aksioneve të kompanisë “Boris”, firmë kjo e ç’regjistruar, subjektin “Olta Sharra”, një servis të rregjistruar në emër të Gentian Sharrës si dhe 14 automjete.