Anëtarja e KPK, Etleda Çiftja shkon në SPAK, njihet me dy akuzat e zyrtarisht është e pandehur
Etleda Çiftja, anëtarja e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit është paraqitur mesditën e sotme në prokurorinë e Posaçme SPAK, ku mësohet se është njohur me dy akuzat dhe statusin e të pandehurës.
SPAK e akuzon Çiften, për veprën penale të “Deklarimit të rremë të pasurisë” dhe “Falsifikim të dokumenteve”.
Vendimi për marrjen të pandehur të anëtares së KPK-së, shënon një tjetër precedent, ku SPAK kap me shkelje të rënda komisionerët e KPK-së dhe KPA-së.
Tashmë Etleda Çiftja është zyrtarisht e marrë e pandehur, duke pasuar precedentët, Luan Daci që u dënua dhe kolegut të tij, Ardjan Hajdari, që është martë i pandehur dhe pritet që dosja ti kalojë për shqyrtim gjykatës.
Sipas veprimeve hetimore të kryera nga SPAK, ka rezultuar se në Korrik 2017, anëtarja e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Etleda Çiftja, plotëson deklaratën fillestare të pasurisë.
Ndër të tjera, ajo ka deklaruar se është në pronësi të një aseti tokë arë, me sipërfaqe 3440 m2 në Qerret të Kavajës, blerë në 10 Korrik 2006, me vlerë 50 mijë euro.
Për këtë pasuri, ajo deklaron si burim financiar 15 mijë euro të kursimeve nga paga si juriste në kompaninë private “Egnatia O. Albania” dhe 35 mijë euro të tjera kredi, të cilën duhet ta shlyejë për 20 vjet, deri në vitin 2026.
Deri këtu, nuk duket se ka ndonjë gjë të veçantë. Por, redaksia ka zbuluar kontratën që Etleda Çiftja e ka blerë këtë tokë në vitin 2006 dhe historia ndërlikohet shumë, në dëm të komisioneres së Vettingut.
Sipas kontratës së datës 10 Korrik 2016, nënshkruar pranë noteres publike, Luljeta Kongoli në Tiranë, rezulton se Etleda Çiftja, e ka blerë këtë tokë për vetëm 300 mijë lekë të reja.
Në këtë rast, SPAK ka ngritur dyshime të arsyeshme të bazuar dhe në prova se ka një pasaktësi për sa I përket shifrës së deklaruar nga Etleda Çiftja dhe kontratës së blerjes së tokës në Kavajë tek tre shtetasit, Rustem Kaja, Suzana Kaja dhe Ervin Kaja.
Hetimi ka provuar një sërë veprash penale nga personi i zgjedhur nga Parlamenti për të verifikuar gjyqtarët dhe prokurorët e Republikës.

