Maturantët përfundojnë provimin e Gjuhës së Huaj, optimist për rezultatin

Këtë të enjte maturantët në të gjithë vendin i janë nënshtruar testit të parë të Maturës Shtetërore të Gjuhës së Huaj. Procesi filloi në orën 10 të paradites së 9 qershorit ku sipas rendit alfabetik maturantët u grupuan në klasat përkatëse.

Pas përfundimit të testit në 12:30 maturantët u shprehën optimist për rezultatet që do të marrin, pasi sipas tyre niveli i testit ishte mesatar ashtu siç edhe ishte paralajmëruar më herët.

"Shkoi mirë, i punuam të gjitha, besoj do të dalim mirë."

Ata tregojnë emocionet e tyre përgjatë 150 minutave të lëna në dispozicion për të shprehur njohuritë njohuritë në këtë lëndë në një testim gjithëpërfshirës.

"Si maturant jemi përgatitur gjatë gjithë vitit. Në fillim fare janë ato emocionet e para që nuk e di se çfarë na pret, por në momentin që na erdhi testi pamë që niveli ishte për aq sa thuhej as më i vështirë as më i lehtë."

Maturantët theksojnë se nuk pati asnjë problematikë dhe nuk është raportuar për shkelje të rregullores e cila ndaloi përdorimin e celularit, kopjes apo komenteve mbi përmbajtjen e tekstit.