Ekskluzive/ Videoja, prova që policia ka për Sinanin, të akuzuarin si piromani i zyrës së noterit në Sarandë

Pamjet filmike janë provat që policia ka për Marjo Sinanin e arrestuar si piromani i zyrës së noterit Aleko Anagnosti, në lagjen nr 1 të Sarandës.

Burimet bëjnë me dije se Sinani është arritur të zbulohet nga verifikimi i një seri pamjesh filmike të grumbulluara nga policia lokale, disa prej të cilave i ka dhe Ora News në dispozicion ekskluzivisht (Shikoni videon poshtë)

Një nga videot janë sekuencat ku mendohet se Sinani ikën në shtëpi dhe është me kanatiere. Në video ora është 01:15 e datës 6 qershor 2022.

Ndërkohë burimet bëjnë me dije se disa kamera të tjera kanë filmuar momentin kur ai ka hedhur bidonin me benzinë dhe më pas është zhveshur dhe në shtëpi ka shkuar me kanatiere.

Hetimet vijojnë ndërsa ndaj Sinanit është ngritur akuza e "Shkaterimit të pronës me zjarr".

Zyra e noterit Anagnosti u dogj vetëm tre ditë pasi ai u arrestua nga prokuroria e Sarandës së bashku me drejtorin e Urbanistikes dhe 4 persona të tjerë perfitues te mbi 10 mije metra siperfaqe toke shtetërore.

Kur blutë e vunë në pranga Sinanin më 7 qershor 2022 i gjetën edhe rrobat që kishte veshur dhe një sasi benzinë që përdori gjatë zjarrvënies.

Dyshimet e grupit hetimor janë se 41 vjeçari Sinani është paguar nga persona të tjerë për të djegur arkivën e dokumenteve të noterit të dyshuar për falsifikime.

Qëllimi besohet se ka qenë shkatërrimi i kontratave noteriale e shkresave të tjera që mund të jenë prova dhe dëshmi për abuzime dhe shkelje ligjore.

Por mbetet e paqartë nësë synimi kanë qenë dokumente që lidhen me tjetërsimin e lulishtes 10 mijë metra katror, për të cilën janë nën hetim 10 persona apo dosje të tjera.

Aleko Anagnosti u la në burg nga gjykata e Sarandës pasi akuzohet për falsifikim dokumentesh mbi bazën e të cilave u tjetërsua mbi 10 mijë metra katror tokë pranë bregdetit.