“Butrinti”, rrezik për Durrësin e Apolloninë/ Fushatë ndëgjegjësimi për dhënien me koncension të Parkut Kombëtar
Ajo që ndodhi me Butrintin ku një pjesë e konsiderueshme e Parkut Kombëtar u dha me koncension nga qeveria, mund të ndodhë edhe me qytetet e tjera historike si Durrësi apo Apollonia. Paralajmërimi vjen nga përfaqësuesit e Aleancës për Mbrojtjen e Butrintit, të cilët zhvilluan një takim me qytetarët e Durrësit për ndërgjegjësimin e tyre lidhur me rrezikshmërinë që mbart ligji i qeverisë për Butrintin.
Aleanca për Mbrojtjen e Butrintit vjen në Durrës në një takim me qytetarët durrsak për të rritur ndërgjegjësimin në lidhje me mbrojtjen e trashëgimisë sonë kulturore.
Takimi bëri bashkë avokatë, aktivistë dhe ekspertë të fushave të ndryshme të cilët diskutuan dhe ranë dakord për hapat e mëtejshme për të kundërshtuar ligjin e miratuar nga qeveria.
Aulon Kalaja një nga figurat që mbështet AMB u shpreh për rrezikshmërinë që ky ligj ka jo vetëm për Butrintin, por edhe gjithë qytetet e tjera të tilla si: Durrësi, Apollonia, etj.
“Në rast se bie Butrinti është një projekt pilot për të rënë Dyrrahu, Apolonia, Bylysi, Albanopolis, apo qytetërime shumë të vjetra në Shqipëri që këta duan t’I japin me koncension.”
Në fjalën e tij prof. Sazan Guri shprehet se tashmë çështja është diskutuar dhe duhen marrë masa të menjëhershme për ta ndaluar.
“Ligji kriminal i Butrintit do të gllabëroj me të njëjtën strukturë ligjore, me të njëjtën frymë anti-frymë kombëtare, me të njëjtën frymë anti-frymë UNESCO. Do të gllabërojë edhe sheshet e tjera siç është Durrësi, Apollonia, Berati, Gjirokastra, që janë po aq pjesë të UNESCO-së. Fakti që vendimi për Butrintin thyen vendimin e UNESC-së, do të thotë fare mirë se mund ta bëjë edhe në qytete të tjera.”
Nga ana tjetër avokati Altin Goxhaj e cilëson këtë nismë si anti shqiptare dhe që kërkon të zhbëj historinë e Shqipërisë.
