Kurti ka shanc ta sfidojë, Spahiu: Politika e orkestruar nga Vuçiç nuk luftohet duke injoruar Ballkanin e Hapur

Profesori i shkencave politike, Naxhmedin Spahiu tha se Kurti duhej të ishte pjesë e samitit të organizuar në Ohër në kuadër të Ballkanit të Hapur.

Sipas tij ajo që duhej të bënte kryeministri i Kosovës është ta vendoste presidentin Vuçiç në kundërshti të tij.

Naxhmedin Spahiu: Përderisa kryeministri i Malit të Zi dhe ai i Bosnjes morën pjesë në takimin e Ohrit në cilësinë e vëzhguesve këtë është dashur ta bëjë dhe kryeministri i Kosovës dhe të thoshte gjërat të cilat duhet ti thoshte, aty. Ta vër presidentin Vuçiç në kundërshti të tij, sepse ai thotë që duhet të hapen kufijtë, ndërkohë që të kalosh me letërnjoftim të Kosovës kufirin serb ti arrestohesh, ose me pasaportë të Kosovës. Çfarë kuptimi ka? Me makinat me targa të Kosovës po të shkosh pa i mbuluar ato arrestohesh.

"Fatkeqësisht Albin Kurti ka zgjedhur të bëjë një politikë të tillë, nuk mundet që kur rrezikohen interesat e vendit tënd të bësh politikën e strucit. Këtë ka bërë vetëm shoku Enver Hoxha kur e ka zhytur popullin dhe vendin e vet në mjerim duke injoruar gjithë atë se çfarë ndodhte në botë", tha Spahiu gjatë një inerviste për RTV ORA.

Sipas tij politika që po orkestron Vuçiç për mbylljen e Kosovës me vendet fqinje duhet të luftohet duke bërë hapa konkret në mënyrën e duhur.

Naxhmedin Spahiu: Kësaj mbyllje të Kosovës nga të gjitha anët me vendet fqinje që po ja orkestron presidenti Vuçiç, Albin Kurti duhet të jetë në gjendje ta shpërthejë atë. Duhet të jetë në gjendje ta luftojë atë dhe nuk luftohet duke injoruar një konferencë të tillë. Luftohet duke bërë hapa konkret në mënyrën e duhur.

Mbledhja e ardhshme bëhet në Serbi dhe kryeministri Kurti ka shanc ta sfidojë atë, tha Spahiu.