Bëri kallëzim për Metën e Kryemadhin, Valteri: Fushatë shumë e gjatë, do të ketë denoncime të tjera në SPAK

Pasi ditën e djeshme ish-deputeti Halit Valteri depozitoi në SPAK kallëzimin për presidentin Ilir Meta, dhe për bashkëshorten e tij Monika Kryemadhin ai bën me dije se do të ketë edhe kallzime të tjera.

Gjatë një interviste për Ora News me gazetarin Arnold Kariqi, ish-deputeti Valteri tha se gjatë gjithë periudhës 1 vjeçare që nuk është pjesë e kuvendit është marrë me investigime.

"Do të jetë një fushatë shumë e gjatë ku do të ketë denoncime qoftë nga maxhoranca, qoftë nga opozita aktuale", shprehet ai.

Halit Valteri: Unë kam përgatitur disa denoncime në SPAK. Gjithë këtë periudhë prej 1 viti që nuk jam në Kuvendin e Shqipërisë jam marrë me investigime. Do të jetë një fushatë shumë e gjatë ku do të ketë denoncime qoftë nga maxhoranca, qoftë nga opozita aktuale, ministra dhe ish ministra. Drejtues institucionish, nga drejtori kryesor deri tek fundi i kapilarit ku qytetarë të shumtë na kanë shkruajtur dhe ne jemi një grup miqsh dhe shokësh që i kemi ndjekur këto probleme.

Ai thotë se janë gati 4 kallzime për tu depozituar këtë muaj, por nuk jep detaje për emrat.