Rusia në “Open Balkan”, Rama: Nuk ka vend për Lavrov, presim Albin Kurtin
Nisma rajonale Open Ballkan prodhon më shumë deklarata politike se sa rezultate apo projekte ekonomike. Presidenti serb e mbrojti këtë nisëm rajonale si krijesën e “gatuar” nga ai, Ramës dhe Zaev, por nuk përjashtoi ndihmën edhe nga faktorë të tjerë. Në ndryshim nga homologu malazez Dritan Abazoviç që kërkon që në këtë nisëm të përfshihet edhe Kosova, duke u lënë mënjanë inatet personale, Edi Rama ironizon Albin Kurtin.
Edhe në këtë samit të Ohrit, Open Ballkan prodhoi më shumë deklarata politike se sa rezultate apo projekte ekonomike.
Alexandër Vucic dhe Edi Rama mohojnë që Rusia ka ndikuar në ngjizjen e Ballkanit të Hapur. Presidenti serb e mbrojti këtë nisëm rajonale si krijesën e “gatuar” nga ai, Ramës dhe Zaev, por nuk përjashtoi ndihmën edhe nga faktorë të tjerë. Më i prekur nga deklaratat e Ministrit rus Sergei Lavrov u shfaq kryeministri shqiptar Edi Rama.
“Bëhet fjalë për një peshkaqen të nivelit shumë të lartë një Oqeanin e diplomacisë botërore, I cili është i mirënjohur për sarkazmat e tij, si mund të jetë ai mbështetës i Ballkanit të Hapur, SHBA dhe BE nuk e duan “Ballkanin e Hapur” . SHBA dhe BE janë këtu sot ai nuk është”- tha Rama.
“Ideja e Ballkanit të Hapur është ide e Zoran Zaev, Edi Ramës dhe imja” –tha Vuçiç.
Pasi vëzhgoi mbledhjen e parë si kryeministër, kreu i qeverisë malazeze Dritan Abazovic do të kërkojë mbështetje nga qeveria e tij dhe parlamenti për t’ju bashkuar treshes iniciuese në Ballkanin e hapur.
“Unë kam nder të madh të shkoj në Beograd, në vizitën e parë zyrtare në rajon. Këtë do ta bëjë me kënaqësi të madhe. Qeveria e re apo ajo aktuale, do të jetë për kontribut që kemi sa më shumë lajme të mira.”
Në ndryshim nga Abazoviç që kërkon që në këtë nisëm duhet të përfshihet edhe Kosova duke u lënë mënjanë inatet përsonale, Edi Rama nga ana tjetër ironizoi kryeministrin tjetër shqiptar, Albin Kurtin.
“Dhe unë apeloj që herën tjetër të mos jemi 5 por të jemi 6” – u shpreh Abazoviç.
‘Kosova është sovrane, dhe i merr vendimet vetë për veten e vet. Vendi për Kosovën në Ballkanin e Hapur është aty.”- tha Rama.
Batutat e përsëritura “one man show” të Edi Ramës për refuzimet e integrimit europian morën përgjigje pa dorashka diplomatike të eurokomisionerit Oliver Varherly.
“Sa herë afrohet ky Këshilli evropian është njësoj që përgatitemi për dasmë. Nuk përgatitemi më për atë dasëm. Nëse do të ndodhë dasma do të shkojmë me rrobat e rastit. Nuk do të shpenzojmë për të bërë banketin më të madh, në pritje që të vijnë krushqit dhe në fund ngelemi në derë me nusen sepse nuk vjen dhëndri për ta marrë. Ose më keq akoma, na ngelet një dhëndri në derë”- tha Rama
“Kur flasim për aderimin në BE, nuk flasim për martesa apo simbole të tjera, por për procese. Pyetja kyçe është kur do të jetojmë si në Europë, kur do i kemi mundësit e njëjta, ekonomike shoqërore dhe kur të gjithë barrierat do të eleminohen me BE dhe Ballkanit Perëndimor. Ky është integrim i vërtetë."- tha Oliver Varherly
Mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut u firmos një marrëveshje për njohjen e diplomave dhe gradave shkencore si dhe tre memorandume në fushën e turizmit, kulturës dhe administratës tatimore. Shfaqja e Radhës e Open Ballkan do të udhëtojë në Beograd gjatë shtatorit të këtij viti.
