Pogradec/ Arrestohet 33 vjeçari me 10 emigrantë të paligjshëm në makinë. Nuk iu bind urdhrit për të ndaluar
Një 33 vjeçar është arrestuar ditën e sotme në dalje të Pogradecit, pasi në makinë iu gjetën 10 emigrantë të paligjshëm.
Shtetasi I.H. banues në Peqin, po transportonte 10 emigrantë me automjetin e tij tip "Hyundai" dhe edhe pse policia i ka kërkuar të ndalojë makinën, ai nuk ka zbatuar urdhrin dhe ka tentuar të largohet me shpejtësi.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në bashkëpunim me strukturat për Hetimin e Krimeve në DVP Korçë dhe Policinë Rrugore, në vijim të operacionit të koduar “Perimetri”, arrestuan 33 vjeçarin në dalje të qytetit të Pogradecit, në afërsi të vendit të quajtur “Lumi i Tërhanit".
Nga kontrolli i ushtruar në mjet u gjetën 10 emigrantë të paligjshëm, të cilëve shtetasi I. H. u kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt shpërblimit.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.
