Nga sot Gjykata e Lartë bëhet me 13 anëtarë, presidenti Meta dekreton gjyqtarin Sokol Ngresi
Presidenti Ilir Meta ka dekretuar ditën e sotme gjyqtarin Sokol Ngresi si anëtar të Gjykatës së Lartë. Bashkë me Ngresin Gjykata e Lartë bëhet me 13 anëtarë nga 19 anëtarë që duhet të ketë në total.
Pas këtij dekreti, nga kjo e premte Gjykata e Lartë gëzon kuorumin e nevojshëm (2/3 e anëtarëve) për t`u mbledhur dhe për të gjykuar në Kolegjet e Bashkuara.
Në argumentimin e dekretit të tij, Presidenti i Republikës thekson se ka vendosur të shprehet pa vonesë për pranimin e propozimit të KLGJ-së me vullnetin e plotë që Gjykata e Lartë të plotësohet me të gjithë trupën e nevojshme të saj, ku me mijëra dosje e fate qytetarësh presin gjykimin prej vitesh; të nevojës jetike që ka vendi për një Gjykatë të Latë plotësisht funksionale.
Gjykata e Lartë, pas 5-vitesh në pamundësi për ta ushtruar këtë funksion themelor të saj, nga sot mundet të ndryshojë/unifikojë praktikën gjyqësore.
Nga sot ajo rikthehet në funksionalitet për të shqyrtuar çështje në Kolegje të Bashkuara dhe për të përmbushur plotësisht misionin dhe autoritetin e saj sublim për çështje që kanënevojë për kuptimin dhe unifikimin e zbatimit të ligjit, duke i siguruar kështu të gjithë sistemit gjyqësor zhvillimin/ndryshimin e praktikës gjyqësore, unifikimin e jurisprudencës, dhe një qëndrim uniform lidhur me çështje të ndryshme juridike në funksion të interesit publik, në respektim të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në dhënien e drejtësisë.
