Çmimet, studentët i dorëzojnë qeverisë peticionin me 5 mijë firma: Nëse s’plotësohen kërkesat, rikthehen protestat

Rritjet e çmimeve në menca, shtrenjtimet e qirasë së shtëpive, si  tarifat e shkollës i kanë detyruar studentët që të dorëzojnë një peticion me 5000 firma të studenteve ku kërkojnë subvencionim per 10.000 lekesh. Për ta jetesa është bërë e pamundur ndërsa pjesë e mirë e studentëve e kanë lënë në plan të dytë shkollën duke vënë në plan të parë punën.

5000 firma te studentëve u mblodhën

Të rinjtë dorëzuan në  kryeministri peticionin ku kërkojnë rimbursim mujor pas rritjes se çmimeve.

“Ne si studentë, kemi tarifa shumë të larta, kemi çmimet e shtëpive me qira dhe konvikteve shumë të larta, ushqimet janë rritur, çmimet e transportit urban janë rritur. Pra e gjithë kostoja jonë e mbijetesës në Tiranë është rritur dhe na është bërë i papërballueshëm arsimimi."

Ne peticion ato i kërkojnë qeverisë t'i njohë si subjekt social të krizës ekonomike, duke i dëmshpërblyer me 10.000 lekë të reja.

“Ne kërkojmë rimbursim mujor për rritjen e çmimeve të qirave, ushqimeve librave dhe transportit deri në përfundim të krizës. Ky do të duhej të ishte hapi i parë drejt krijimit të politikave sociale, në mbështetje të studentëve.”

Ata gjithashtu shprehin dhe pakënaqësi të tjera duke filluar që nga Karta e Studentit që e cilësojnë  dështim total.

Studentët paralajmëruan se do vijojnë ta ngrenë zërin për të gjithë problematikat e tyre dhe nëse zëri nuk ju dëgjohet, do të ngrihen në protesta.

"Nëse qeveria nuk kthen një përgjigje atëherë studentët do të jenë më të bashkuar dhe do të kërkojnë të drejtat e tyre qoftë në institucione, qoftë edhe në rrugë apo si në 2018.”