Amerikanët dhe gjermanët do të dërgojnë artileri të sofisitikuar në Ukrainë. Kremlini akuzon SHBA-në: Po i hidhni benzinë zjarrit

SHBA dhe Gjermania janë zotuar të pajisin Ukrainën me armët e avancuara, një kërkesë e kahershme e Ukrainës.

Që në nisje të konfliktit, Ukraina ka kërkuar nga amerikanët që të pajiset me artileri për të rrëzuar avionët rusë dhe për të sulmuar artilerinë e rëndë kundërshtare.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Gjermania njoftoi se do ta furnizonte Ukrainën me raketa të teknologjisë së fundit kundërajrore dhe sisteme radarësh, ndërsa SHBA-ja njoftoi se do të sigurojë katër sisteme raketore me rreze të mesme veprimi dhe sasi të madhe municionesh.

SHBA-ja dhe aleatët e NATO-s po përpiqen të ndihmojnë Ukrainën të shmangë një luftë më të gjerë në Evropë. Më herët pati një hezitim nga amerikanët për të dërguar sisteme të sofistikuara armatimi në Ukrainë, po Pentagoni tha se kishte marrë garanci nga Ukraina se nuk do të lëshonte raketa në territorin rus.

Kremlini ka reaguar për këtë armatosje të Ukrainës. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se Moska nuk u beson garancive që Ukraina nuk do të qëllojë në territorin rus duke akuzuar amerikanët se “po i hedhin benzinë​ zjarrit” me dërgimin e armatimit të sofistikuar në Ukrainë.

Sa i përket situatës në terren, Moska e ka zhvendosur fokusin e saj në Lindje të Ukrainës. Por ndërsa Rusia përparon në Lindje dhe së fundmi ka marrë mbi 80 %  të një qyteti kyç si Severdontesk , analistët ushtarakë thonë se Rusia shpreson ta pushtojë gjithë Donbasin përpara se të mbërrijë ndonjë sasi armatimi që mund të ndryshojë rrjedhën e luftës.

Sievierodonetsk, qendra administrative e rajonit të Luhanskut, ka qenë fokusi i ofensivës së Rusisë në zemrën industriale lindore të Ukrainës, Donbas. Qyteti është nën bombardime të forta ruse.

Për Pentagonin do të duhen të paktën tre javë për të futur armët precize amerikane dhe trupat e trajnuara në fushën e betejës në Ukrainë. Nënsekretari i Mbrojtjes Colin Kahl tha se ai besonte se trupat dhe armatimit do të arrinin në kohë për të bërë një ndryshim në terren.

Sistemet e raketave janë pjesë e një pakete të re 700 milionë dollarëshe të asistencës së sigurisë për Ukrainën nga SHBA, që përfshin gjithashtu helikopterë, sisteme armësh antitank Javelin, radarë, automjete taktike dhe pjesë këmbimi.