Arrestuan kolegun e tyre, taksistët mblidhen para policisë në Lezhë për lirimin e tij
Drejtuesit e mjeteve të transportit taksi në Lezhe janë mbledhur para komisariatit të policisë pasditen e sotme.
Ata kanë dalë në mbështetje të kolegut të tyre e cili është ndaluar nga policia prej 2 orësh.
Ata kërkojnë lirimin e menjëhershëm të taksistit të ndalur sipas tyre padrejtësisht nga policia.
“Nuk na japin arsyen pse është shoqëruar në komisariat. Duam shpjegime. Nuk kemi folur me askënd. Nuk e di të ketë pasur dhunë gjatë ditës së sotme.”
“Kanë arrestuar një taksist gjoja në thirrje për dhunë. Kjo është e padrejtë dhe nuk e di pse na sulmojnë. Na kanë sjellë këtu një kompani tjetër. Kryetari i bashkisë nuk na ka pritur.”
Sipas burimeve taksisti Lek Marlekaj do të ndiqet penalisht, pasi gjatë prononcimit te tij për mediat në protestën e zhvilluar paraditen e kësaj të marte para Bashkisë Lezhe ka bërë thirrje për dhunë.
Reagimi i drejtuesve të mjeteve taksi, erdhi prej përjashtimit të tyre nga shërbimi në festivalin “UNUM” që do të mbahet në Shëngjin.
