Kryenin pirateri televizive me kabllorë, SPAK çon për gjykim pronarët dhe sekserët e AMA-s
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim pronarët e disa televizioneve kabllorë në Qytetin e Elbasanit.
Ata ushtronin veprimtarinë e transmetimit të televizioneve kabllore pa autorizim paraprak nga Autoriteti i Mediave Audiovizive, në shkelje të të drejtave të autorit.
Nëpërmjet pagesave që u bënin zyrtarëve te Autoritetit të Mediave Audiovizive, apo ndërmjetësve të cilët premtonin ndërhyrjen tek zyrtarët e AMA-s, këta operatorë të transmetimit të televizioneve kabllorë, vijonin veprimtarinë e transmetimit të kanaleve, pa lidhur kontratat përkatëse me mbajtësit e të drejtave të autorit, dhe pa autorizim nga AMA.
Gjendet një vajzë e pajetë në hyrje të Shkodrës
31 Maj, 17:48
Në përfundim të fazës hetimore, janë marrë të pandehur dhe është kërkuar dërgimi i çështjes për gjykim për shtetasit:
I.H., punonjës pranë Autoritetit të Mediave Audiovizive, i akuzuar për kryerjen e figurës së veprës penale të “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal;
S.M., me detyrë anëtare e Bordit të Autoritetit të Mediave Audiovizive, e akuzuar për kryerjen e figurës së veprës penale të “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm të personave që ushtrojnë funksione publike” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 245/1 paragrafi 2 dhe 25 të Kodit Penal;
A.N. i akuzuar për kryerjen e figurës së veprës penale të “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm të personave që ushtrojnë funksione publike” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 245/1 paragrafi 2 dhe 25 të Kodit Penal;
B.L., A. D., A. B. dhe Sh. S., pronarë/administratorë të operatorëve të transmetimit të televizioneve kabllorë, apo punonjës pranë këtyre operatorëve, të akuzuar për kryerjen e figurave të veprave penale të “Korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike” e kryer në bashkëpunim, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm të personave që ushtrojnë funksione publike” e kryer në bashkëpunim dhe “Shkelja e të drejtave të autorit” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 244 dhe 25, 245/1 paragrafi 1 dhe 25, dhe 149 paragrafi 2 i Kodit Penal;
Ndërkohë është kërkuar në gjykatë, pushimi i procedimit penal, në ngarkim të personit nën hetim E.T., pasi nuk u provuan akuzat e sipërcituara në ngarkim të tij.

