Real Madrid madhështor, Courtouis dhe Vinicius. Jr rrëzojnë Liverpool-in në finalen e Champions League (Video)
Reali i Madridit fiton kupën e 14-të falë Thibaut Courtouis. “Los Blancos” rikthehen mbretër të Europës pasi me cinizëm, fat dhe një portier për top të artë, thyen në finalen e Parisit Liverpool-in që duhet të dorëzohet dhe të "qajë" një ndeshje ku harxhoi shumë dhe nuk mori asgjë.
Carlo Ancelotti feston për Champions-in e katërt si askush tjetër në botë ndërsa skuadra madrilene i falet talentit brazilian Vinicius.jr i cili shënoi golin e vetëm të finales ku “The Reds” dominuan në raste ndërsa spanjollët bënë atë që dinë të bëjnë më mirë, mbrojtje të hekurt dhe kundërsulm vrastar.

E pamëshirshme armata e bardhë në 90 minuta spektakolare në “Stade de France” ku gjithçka nisi ters dhe me 36 minuta vonesë Liverpool me Mane dhe Salah apo Diaz tentuan disa herë të kalonin Courtouis por belgu rezultoi thjesht i pakalueshëm, një mallkim i vërtetë për skuadrën e Jurgen Klopp, i cili humbet finalen e tretë të karrierës dhe e mbyll sezonin me vetëm dy kupa në Angli.

Pjesa e parë u mbyll me një gol të anulluar të Benzema për pozicion jashtë loje ndërsa në të dytën kur Reali po mbyllej edhe më shumë, Vinicius shtangu dhe "ngriu" Liverpoolin që nuk po u besonte syve.
Ndeshja më pas pati vetëm një skenar, sulme te vazhdueshme dhe pak qartësi nga anglezët të nxituar për të shënuar, Courtouis hero për të tijtë dhe Reali në kundërsulm shpesh herë i rrezikshëm.
Ndeshje dramatike deri në minutën e 95-të por më pas "triumf i bardhë" në një ndeshje nga e cila nuk vodhi asgjë dhe fitoi gjithçka.
Sot Reali është i pakapshëm me 14 Champions, dyfishi i skuadrës së dytë që është Milani dhe një trofe që e vendos Ancelott-in në murin e trajnerëve të pavdekshëm. Mbrëmje fatkeqe për Liverpool-in dhe Jurgen Klopp që morën një shuplakë nga e cila vështirë se mund ta marrin veten.