"Ë-në" e shkruar e morëm nga arbëreshët, Xhufi: Studentët e kolegjeve arbëreshe e sollën shkronjën si risi
Historia e akademizmit shqiptar daton rreth shekullit të 16-të me kolegjet e arbëreshëve. Madje shkronja "Ë" e shkruar, është fryt i studentëve arbëreshë.
Historiani, Pëllumb Xhufi, nënvizon se roli i Gjuhës Shqipe ishte objekt i studimit të këtyre kolegjeve.
"Këto kolegje si ai i Palermos apo Shën Adrianit në Kalabri kanë luajtur një rol të jashtëzakonshëm për zhvillimin e kulturës shqiptare, për zhvillimin e gjuhës shqipe dhe përhapjen e saj, madje duke sjellë dhe detaje dhe gjëra të reja si gërma "Ë" është një inovacion që e kanë sjellë studentët e këtyre kolegjeve."
Për shkak të kushteve historike dhe pavarësimit të vonë të Shqipërisë, historiku i Akademisë është jo shumë i gjatë po në të vërtetë, akademiku Shaban Sinani bën me dije se pavarësisht se nuk ndodheshin në tokën amë, arbëreshët kanë hedhur rrënjet e akademizmit shqiptar që në shekullin 16.
"Është krejt normale që fillimet e akademizmit gjenden midis arbëreshëve. Arbëreshët vërtet ishin në një territor që nuk ishte i tyre por ishin shumë më të lirë se shqiptarët në këtë anë të Adriatikut. Nuk duhet të harrojmë se ata e filluan punën kur në Itali dhe Europë kishte ide iluministe."
Ndërkaq Skënder Gjinushi, kreu i Akademisë së Shkencave shprehet se studimet albanologjike në këtë fushë kanë hedhur dritë mbi të vërtetën e historisë akademike, e cila deri më tani nuk njiheh nga historia.
"Kjo periudhë e herdhme e akademizmit shqiptar ka qenë disi në hije për një kohë relativisht të gjatë për shkak se kult dhe kulturë konceptoheshin si drejtëza të kista. Ka qenë pozitiv hapja e një debati shkencor nga Akademia e Shkencave bashkë me kolegët tanë arbëreshë për një rivlerësim të shekullit XVII-XVIII."
Kjo konferencë përfshiu edhe studiues nga përtej detit, duke përfshirë edhe arbëreshët në këtë çështje më rëndësi jo vetëm historike por edhe kulturore.

