“Nga gjakosja e Shkodrës, tek përgjakja e Shqipërisë”, ish-Ministri me ditar për 1997-ën: Nëse harrojmë historia përsëritet

“Nga gjakosja e Shkodrës tek përgjakja e Shqipërisë”, është libri i ish-Ministrit të Mbrojtjes në vitin e brishtë 1997, i cili vjen në formën e një ditari për atë çfarë ndodhën 25 vite më parë në vendin tonë. Vetë autori thekson se nëse nuk marrim mësim nga historia, ajo përsëritet.

Me një stil të thjeshtë dhe shumë komunikues ngjarjet e 25 viteve më parë, të periudhës më të vështirë të jetës shqiptare 1991-1997 përjetohen sikur po ndodhin para syve tanë.

“Nga gjakosja e Shkodrës tek përgjakja e Shqipërisë” autori Shaqir Vukaj jo vetëm nën petkun e personazhit, por edhe të faktit real si një njeri i përfshirë në politikë e sjell veprën e tij në formën e një ditari.

Politikani, Namik Dokle, ia njeh si vlerë të shtuar autenticitetin e të përjetuarit të ngjarjeve dhe përcjelljen e tyre nëpërmjet realitetit të pashtrembëruar.

"Këtu gjejmë vetëm të vërtetën. Në çdo ngjarje që përshkruan Shaqir Vukaj është prezent, është dëshmitar ose aktor, veprues i atyre ngjarjeve që përshkruan në libër."

Gazetarja Rudina Xhunga, edhe si një kritike e veprës përtej opinionit të saj mbi dëshmitarët e harruar të ngjarjeve të asaj kohe, thumbon edhe procesin e përzgjedhjes së Presidentit.

"Bashkë kemi detyrimin të flasim për dëshmitë, kush e bëri '97-ën? Si guxojnë ata që bënë '97-ën të kërkojnë akoma të bëjnë 2027? Si mundet tani të trajtojmë zgjedhjen e Presidentit të Republikës si Përputhen?"

Vetë autori Shaqir Vukaj përcjell arsyen e fortë të shkrimit të këtij libri.

"Pse e kam shkruar? Që njerëzit të mos harrojnë, ti kujtojnë sepse po i harruan ka rrezik që të përsëriten".