“Krah për krah” edhe në shekullin e dytë, java e kulturës amerikane mbylli aktivitetet në kalanë e Shkodrës
Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës shënuan këtë javë 100 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike, me aktivitete të shumta që u mbyllën në kalanë e Shkodrës. Zëvendësambasadori, Demian Smith, theksoi Shtetet e Bashkuara do të vijojnë të jenë partneri strategjik i Shqipërisë.
Nga kalaja e Shkodrës, një prej kështjellave emblematike të Shqipërisë, u përmbyll java e kulturës amerikane.
Ishin ritmet e grupit rock “Touch n’go” i forcave ajrore të ushtrisë së SHBA që dhuruan një natë ndryshe për publikun shkodran nën moton “Ne jemi sëbashku krah për krah”.
“Shtetet e Bashkuara do të vijojnë të jenë partneri strategjik i Shqipërisë”, ishte mesazhi që përcolli zv/ambasadori i SHBA, Demian Smith.
"Pasi shqiptarët flakën komunizimin, amerikanët dhe shqiptarët rigjetën rrugën e kthimit te njëri-tjetri. Miqësia jonë është më e fortë se kurrë."
Sëbashku me grupin e ardhur nga Amerika, interpretuan edhe të rinjtë e shkollës së muzikës “Prenkë Jakova”, me të cilët u zhvillua më herët edhe një masterclas, paralelisht me Tiranën.
Në kuadër të aktiviteteve për 100 vjetorin e marrëdhenieve diplomatike mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë, vendin tonë e vizitoi edhe ish-sekretari i Shtetit, Mike Pompeo.
