Vdekja e Nishanit, Presidentja Osmani: Përfaqësoi me dinjitet Shqipërinë dhe përkrahu Kosovën deri në frymën e fundit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-presidentit Bujar Nishani.

Në një postim që ka bërë në rrjetet sociale, Osmani shkruan se Nishani përfaqësoi me dinjitet Shqipërisë ndërsa përkrahu në mënyrë të pareshtur Kosovën.

Postimi i plotë

Presidenti Bujar Nishani ishte model i atdhetarit të pashoq, i cili përfaqësoi Shqipërinë me dinjitet të lartë dhe përkrahu Kosovën parreshtur, deri në frymën e fundit. Ai një jetë të tërë ia kushtoi Shqipërisë dhe shqiptarëve, duke qenë shembull i politikanit racional e me integritet. Në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, i shpreh ngushëllime familjes Nishani si dhe miqve e bashkëpunëtorëve! Shpirti i Presidentit Nishani pushoftë në paqe!

Ish-presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ndërroi jetë të shtunën në Gjermani, ku po trajtohej për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore. Ish presidenti Nishani vuante prej kohësh nga një sëmundje auto-imune dhe gjendja e tij u rëndua nga pasojat e COVID-19.

Bujar Nishani shërbeu si president i Shqipërisë nga viti 2012 deri në vitin 2017.

I lindur në Durrës më 29 shtator të vitit 1966, ai mbaroi studimet në Akademinë Ushtarake “Skënderbeu” në Tiranë, në vitin 1988. Në vitin 1996 përfundoi studimet pasuniversitare në Kaliforni, ndërsa në vitin 2004, përfundoi studimet për Jurisprudencë në Universitetin e Tiranës. Një vit më pas mori titullin “Master”, në Studimet Evropiane në këtë universitet.

Zyrtar i lartë i Partisë Demokratike ai shërbeu si ministër i Mbrojtjes, ministër i Drejtësisë dhe ministër i Brendshëm para se të zgjidhej president.