Turistët pa PPP, debati në Tiranë nuk reflektohet te vizitorët e parkut

Teksa debati për dhënien me PPP të Butrintit është në kulm, brenda Parku Kombëtar gumëzhijnë turistët e huaj. Janë nga e gjithë Evropa dhe thonë se Parku që është nën mbrojtjen e UNESCO-s i ka befasuar.

Këtë fillim vere, Parku Kombëtar i Butrintit gëlon nga turistët. Mbart vlera të rralla të trashëgimisë sonë kulturore e arkeologjike.

Për këto pasuri turistët e cilësojnë si një ndër sitet më të veçanta që kanë vizituar.

“Njerëzit kanë jetuar këtu 3-4 mijë vite më parë dhe kjo e bën ndër vendet e pakta në botë ku mund të shohësh kaq shumë kultura dhe ndërtesa. Është impresionues, shumë speciale. Nuk është hera e parë për mua që jam këtu, kam qenë para 15 vitesh. Jam shumë i lumtur që erdha sërish”.

Shumë prej tyre shkelin për herë të parë në qytetin antik e thonë se i ka befasuar.

 “Jam për herë të parë në Burtrint. Bashkëshorti im punon me ture në Korfuz e Rodos dhe e ka vizituar më herët. Këtë vit erdhëm të vizitonim Shqipërinë pasi më ka folur shumë për këtë vend!"

 “Është hera ime e parë që jam këtu. Më pëlqen e adhuroj. Në Shqipëri do të rikthehem patjetër.”

Të tjerë rikthehen për të zbuluar më shumë mbi parkun që mbrohet nga UNESCO.

 “Është hera e dytë që vizitoj Butrintin, më ka lënë mbresa të mira ndaj dhe u riktheva, me pëlqen këtu sepse në një ditë me diell si sot mund të ecësh për rreth 3 orë brenda parkut edhe të shohësh gjithçka mbi kulturën dhe historinë. Kam ardhur me mamin por do të rikthehem me miq".

Debatet politike për menaxhimin e Parkut nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan me një afat 10-vjeçar nuk kanë ndikuar te fluksi i vizitorëve.

Vetëm në 3 muajt e fundit Butrinti ka mirëpritur afro 8 mijë vizitorë dhe mbetet parku arkeologjik me i vizituari në vend.