Rikthehen turistët e historisë, Memoriali i Skënderbeut atraksion, problem parkimi për autobusët

Memoriali i Skënderbeut mbetet atraksioni kryesor për turistët në Lezhë që po rikthehet në normalitet pas dy viteve kufizime për shkak të pandemisë. Por problem pa zgjidhje mbetet vendparkimi për autobusët e vizitorëve.

Turizmi historik në Lezhë po rikthehet në normalitet pas dy viteve kufizime për shkak të pandemisë.

Vendvarrimi i Heroit Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu mbetet atraksioni kryesor.

Vetëm gjatë muajit të fundit u vizitua nga mbi 2100 persona, shifër kjo e njëjtë me vitet para pandemisë.

Përgjegjësi i Trashegimisë Kulturore në Bashkinë Lezhë, Paulin Zefi, thekson rikthimin e turistëve të huaj, kryesisht nga Europa qendrore.

"Dominon sërish Europa qendrore, shtete si Hungaria dhe Polonia. Ndërsa nga Europa perëndimore shteti me fluksin më të madh është Gjermania dhe pas saj Italia."

Problem për Lezhën mbetet mungesa e një vendparkimi për autobusët me turistë.

"Kemi tre autobusë me 130 nxënës dhe studentë. Janë të bllokuar se sheshi është mbingarkuar me makina dhe është e pamundur të kthehen mbrapsht. Duhet të largohen makinat e tjera që të dalin jashtë autobusët."

Lezha ofron një ndërturje të turizmit kulturor e historik me atë të aventurës dhe të detit që përllogaritet se tërheq rreth 1 milion vizitorë në vit.