Ndarja nga jeta e Bujar Nishanit, Rama: U prehtë në paqe! Ngushëllime familjes

Kryeministri Edi Rama ka shprehur ngushëllime për vdekjen e ish-presidentit Bujar Nishani.

Në një postim që ka bërë në rrjetet sociale shkruan: U prehtë në paqe! Ngushëllime familjes.

Ish-presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ndërroi jetë të shtunën në Gjermani, ku po trajtohej për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore. Ish presidenti Nishani vuante prej kohësh nga një sëmundje auto-imune dhe gjendja e tij u rëndua nga pasojat e COVID-19.

Bujar Nishani shërbeu si president i Shqipërisë nga viti 2012 deri në vitin 2017.

I lindur në Durrës më 29 shtator të vitit 1966, ai mbaroi studimet në Akademinë Ushtarake “Skënderbeu” në Tiranë, në vitin 1988. Në vitin 1996 përfundoi studimet pasuniversitare në Kaliforni, ndërsa në vitin 2004, përfundoi studimet për Jurisprudencë në Universitetin e Tiranës. Një vit më pas mori titullin “Master”, në Studimet Evropiane në këtë universitet.

Zyrtar i lartë i Partisë Demokratike ai shërbeu si ministër i Mbrojtjes, ministër i Drejtësisë dhe ministër i Brendshëm para se të zgjidhej president.