Telefonata/ Putin: Furnizim i pandërprerë i Italisë me gaz, gati për të zhbllokuar grurin nëse hiqen sanksionet; Draghi: Dritë paqeje? Jo


Rusia synon të sigurojë një furnizim të pandërprerë me gaz në Itali. Kështu ka ripërsëritur, siç raporton Kremlini, presidenti rus, Vladimir Putin, gjatë një bisede telefonike me kryeministrin italian Mario Draghi.

Putin i shpjegoi më tej Draghit se Moska është e gatshme të ndihmojë në tejkalimin e krizës ushqimore në këmbim të heqjes së sanksioneve.

Në një konferencë për shtyp, kryeministri italian tha se nuk kishte parë asnjë dritë për paqe në bisedimet me Putinin.

Këtë e konfirmon edhe Pallati Chigi.

“Biseda u fokusua në zhvillimet në situatën në Ukrainë dhe në përpjekjet për të gjetur një zgjidhje të përbashkët për krizën e vazhdueshme ushqimore dhe pasojat e saj serioze në vendet më të varfra në botë”.

Më vonë, Draghi shpjegoi se ishte ai që kërkoi telefonatën me Putin:

“Qëllimi ishte të pyesim nëse mund të bëhej diçka për të zhbllokuar drithin që ndodhet aktualisht në depozitat në Ukrainë, sepse kriza ushqimore që po afrohet dhe në disa vende afrikane është tashmë e pranishme do të ketë përmasa gjigante dhe pasoja të tmerrshme humanitare”.

Presidenti rus argumentoi se “kriza ushqimore është pasojë e sanksioneve dhe se nëse sanksionet hiqen, Rusia mund të eksportojë grurë".

Por padyshim, nënvizoi Draghi, duke raportuar rreth bisedës, sanksionet janë aty sepse Rusia ka sulmuar Ukrainën.

Një nismë e parë që Draghi është përpjekur të eksplorojë është “nëse mund të ndërtohet bashkëpunimi për lirimin e porteve në Detin e Zi.

"Putin tha se nuk mjafton për të zgjidhur krizën botërore të ushqimit. Unë iu përgjigja 'hajde t'i zhbllokojmë përndryshe ka rrezik të shkojnë keq'. Putin më pas tha se problemi është se portet janë të minuara. Por portet janë minuar për të parandaluar anijet ruse të sulmojnë Ukrainën" shpjegoi  Draghi.