59 kg “e bardhë” mes qymyrit, bllokohet anija që solli kokainë, marinarët nuk do zbresin në tokë
Anija 'Unistream' ku u sekuestruan 59 kg kokainë të fshehura mes qymyrit do të mbahet e bllokuar në Portin e Durrësit deri në fund të hetimit. Marinarët dhe kapiteni rus gjatë kësaj kohe nuk do të lejohen të zbresin në tokë.
Anija ku u gjetën 59 kilogram kokainë është zhvendosur nga kalata e shkarkimit 10 ditë pasi u bllokua në Portin e Durrësit.
Mjeti lundrues me kapiten rus është zhvendosur në Kalatën Nr.1 ku do të qëndrojë e bllokuar dhe nën ruajtje policore.
Lëvizja është bërë për të liruar kalatën e shkarkimit, pasi sipas burimeve është shënuar një incident me një tjetër anije transportuese.
Po me urdhër të prokurorisë, ekuipazhi i drejtuar nga një kapiten rus do të qëndrojë aty deri në përfundim të hetimit.
Anija Unistream me flamur të Antigua Barbuda transportonte 6500 ton qymyr mbërriti në Portin e Durrësit më 16 Maj.
Sipas të dhënave zyrtare, rezulton se anija është ngarkuar 2 prill në Kanada me qymyr.
Itinerari ka vijuar drejt Haitit dhe më pas në Kolumbi ku ka qëndruar tre ditë.
Pikërisht këtu dyshohet se është ngarkuar edhe sasia e kokainës.
Por strategjia e re e transportit të drogës nga Amerika Latine drejt BE pas humbjes së dhjetëra ngarkesave në kontejnerët me banane nga Ekuadori është zbuluar nga agjencitë ndërkombëtare të cilat kishin ngritur alarmin tek autoritetet shqiptare.
Kur u ankorua në Durrës anija u kontrollua me qen anti drogë por që nuk zbuloi asgjë, pasi era e qymyrit siç duket e mbulonte atë të kokainës.
Më pas ka nisur shkarkimi i kontrolluar i qymyrit që zbuloi çantat me lëndë narkotike.
Droga ishte e ndarë në 53 pako, në dy çanta, Në total 59 kilogram.
Hetimet po ndiqen nga SPAK, por deri më tani asnjë person nuk është në pranga për trafikun ndërkombëtar të Kokainës.
