Alibeaj vazhdon punën, Berisha: Nuk ka asnjë tagër nga PD! Paralajmëron Ramën për votën e emigrantëve
Sali Berisha ka komentuar thirrjen e takimit nga Alibeaj për grupin parlamentar të PD-së për të diskutuar zgjedhjen e Presidentit, duke thënë se nuk ka asnjë tagër apo autoritet nga Partia Demokratike. Sa i përket votës së emigrantëve, Berisha e kundërshton fort idenë e krijimit të një zone të veçantë elektorale.
Teksa, Enkelejd Alibeaj, kishte mbledhur grupin e deputetëve, në selinë blu erdhi Sali Berisha, i cili që në krye të herës, u kujdes të thoshte se ai nuk përfaqëson askënd më në Partinë Demokratike dhe çdo nismë e tij është individuale.
"Çdo veprim i tij është sintonizim i një farse të shpifur të zgjedhjes së Presidentit të Republikës nga Edi Rama me kallp-opozitën."
Sa i përket votës së emigrantëve, Berisha tha se e kundërshton fort idenë që emigrantët të konsiderohen një zonë e veçantë elektorale.
"Dënoj me ashpërsinë më të madhe pikëpamjen e Edi Ramës të konsiderimit të emigracionit dhe diasporës si një zonë e veçantë elektorale. E parajmëroj këtu: Mos të luajë me liritë dhe të drejtën e miliona shqiptarëve që janë sot në të katër anët e botës!"
Të shtunën Sali Berisha mbush 7 ditë si i zgjedhur për të drejtuar Partinë Demokratike.
E deri më sot nuk ka asnjë urim, as nga ndërkombëtarët e as nga partia simotër PPE. Por për këtë ai e ka një përgjigje:
"Nuk mbaj mend kur jam zgjedhur herë të tjera të ketë pasur ambasadorë që të më kenë uruar. Mundet, por unë në memorien time nuk mbaj mend ndonjë herë një gjë të tillë".
