Suedia dhe Finlanda në NATO/ Kundërpërgjigjet Rusia: Gati ndërtimi i 12 bazave ushtarake në kufi
Zgjerimi i NATO-s me Finlandën dhe Suedinë ka sjellë edhe reagimin e Rusisë. Ministri rus i mbrojtjes ka thënë se deri në fund të vitit do të jenë gati 12 baza ushtarake në kufijtë perëndimorë të Federatës. Ndërkohë, sa i përket vetos turke për zgjerimin e aleancës, të shtunën, vetë Erdogani tha se do të nisin negociatat me aleatët dhe Finlandën.
Anëtarësimi në NATO i Suedisë dhe Finlandës është parë si zgjerim i sigurisë kontinentale evropiane, por rusët e shohin si kërcënim.
Rusët kanë marrë masat e tyre për këtë zgjerim të NATO-s në kufi me Federatën. Ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu njoftoi të premten se Rusia do të krijojë 12 baza të reja ushtarake në perëndim të vendit në përgjigje të kërkesës së Suedisë dhe Finlandës për anëtarësim në NATO. Bazat e reja do të jenë aty "deri në fund të vitit", tha Shoigu.
Rusët e konsiderojnë zyrtarish kërcënim në kufijtë e tyre zgjerimin e NATO-s.
"Kemi një rritje të kërcënimeve ushtarake në kufijtë e Rusisë", tha ministri duke fajësuar NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara.
Këtë javë Finlanda dhe Suedia aplikuan zyrtarisht për anëtarësim në NATO , një lëvizje që ishte e paimagjinueshme përpara pushtimit të Ukrainës nga Rusia më 24 shkurt. Finlanda ndan një kufi tokësor prej 1300 km me Rusinë, ndërsa ishulli suedez Gotland është strategjikisht i rëndësishëm në Detin Baltik dhe vetëm 300 km nga enklava e militarizuar ruse e Kaliningradit.
Por anëtarësimi i vendeve nordike në aleancë ka hasur në kundërshtinë e Turqisë. Presidenti Erdogan ka thënë në mënyrë të përsëritur se ai nuk do të lejojë që dy vendet evropiane të bashkohen me aleancën ushtarake për shkak të lidhjeve të tyre me individë që Turqia i konsideron "terroristë".
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg premtoi të enjten se do të diskutonte shqetësimet e Erdoganit dhe përsëriti se Turqia ishte "një aleat i rëndësishëm". Vetë presidenti Erdogan foli për negociata me anë të telefonit që nisin të shtunën me aleatët dhe Finlandën. Ndërkohë, edhe Këshillëtari i presidentit amerikan për Sigurinë, Jake Sullivan, tha se shqetësimet e Turqisë në lidhje me hyrjen e Suedisë dhe Finlandës në NATO mund të zgjidhen.

