G7 premton 19.8 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën

Vendet e industrializuara të G7 kanë premtuar 19.8 miliardë dollarë për të forcuar financat publike të Ukrainës ndërsa Kievi lufton pushtimin rus, thuhet në një deklaratë përmbyllëse të ministrave të financave të grupit.

Udhëheqësit financiarë të Grupit të Shtatë, që përfaqësojnë SHBA-në, Japoninë, Kanadanë, Britaninë, Gjermaninë, Francën dhe Italinë, premtuan mjaft para për të mbajtur në këmbë ekonominë e shkatërruar të Ukrainës për sa kohë që lufta vazhdon.

Ministri i Financave i Gjermanisë, Christian Lindner, u tha gazetarëve se 9.5 miliardë dollarë nga totali u mobilizuan në takimet e ministrave të financave të G7 në Koenigswinter, Gjermani, këtë javë.

Në një deklaratë të G7 thuhet: "Ne ramë dakord për veprime konkrete për të thelluar bashkëpunimin ekonomik shumëpalësh dhe nënvizuam angazhimin tonë për përgjigjen tonë të bashkuar ndaj luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës dhe për mbështetjen tonë të palëkundur ndaj Ukrainës."

Sekretarja amerikane e thesarit, Janet Yellen, u tha gazetarëve dje vonë se mesazhi ishte: "Ne qëndrojmë prapa Ukrainës".

"Ne do të mbledhim burimet që ata kanë nevojë për ta kaluar këtë", tha ajo.