Pas “ushtarëve” kapen “gjeneralët”, arrestohen organizatorët e grabitjes së noterit në Sarandë
Dy persona janë arrestuar si organizatorë të grabitjes me armë në banesën e Noterit Thoma Kaçi, 7 muaj më parë në Sarandë. Më herët, në pranga janë vënë tre persona që dyshohet se zbatuan planin e grabitjes së dhunshme.
7 muaj pas grabitjes me armë në banesën e noterit Thoma Kaçi në Sarandë, policia ka arritur të arrestojë dy organizatorët e dyshuar.
Në pranga janë vënë Samet Brahimi 34-vjec nga Shkodra dhe Ilia Mata, 29-vjec nga Tirana.
Brahimi u kap më 17 Maj në kryeqytet duke qarkulluar me një kallashnikov në makinë.
Prokuroria dyshon se ata ishin truri i grabitjes për të cilën më herët janë arrestuar tre persona.
Elis Avduli 53-vjec, banues ne Konispol, i njohur si “Mile Xhafa”, Oltjon Kolonja alias Oltjon Pula 40-vjec banues në Sarande dhe Vladrias Himaj, 35-vjec banues në Sarandë ndodhen në paraburgim prej nëntorit të kaluar.
Policia e prokuroria e Sarandës thonë se gjatë kësaj kohe kanë arritur të sigurojnë prova që implikojnë 5 personat e dyshuar si bashkëpunëtorë në organizimin dhe realizimin e grabitjes në banesën e noterit.
Ngjarja u shënua mëngjesin e 20 Tetorit 2021.
Noteri Thoma Kaçi po dilte nga banesa bashkë me gruan deh fëmijën, por kur hapën derën u përballen me grabitësit e maskuar.
Nën kërcënimin e armës ata i lidhën në karrige dhe duke u bërë presione arritën të merrnin rreth 2 milion lekë.
Pasi grabitësit u larguan, noteri arriti të njoftojë policinë e Sarandës që tashmë thotë se e ka zbardhur grabitjen plotësisht dhe ka çuar para drejtësisë autorët e dyshuar.


