Tritolvënës me paruke e fustan, sulmohet lokali dhe digjet makina e policit në Shkodër
Një lokal dhe një makinë në pronësi të një efektivi të policisë në Shkodër u sulmuan me eksplozivi dhe zjarr në orët e para të mëngjesit. Autori ishte maskuar si grua, i veshur me fustan dhe në kokë mbante paruke me flokë të gjata.
Me paruke dhe fustan. Fillimisht ndez tritolin dhe më pas i vë flakën benzinës.
Kjo video tregon momentin e sulmit me tritol ndaj lokalit dhe djegien e autobusit në pronësi të efektivit të Policisë së Shtetit Ndrek Rrasa.
Ngjarja u shënua në orën 02:30 të mëngjesit në fshatin Grudë e Re të Shkodrës.
E gjitha është filmuar nga kamerat e sigurisë së biznesit.
Në pamje të parë autori duket si grua.
Por lëvizjet tregojnë se është një mashkull i maskuar si grua.
Paruken në kokë e ka përdorur për të mbuluar fytyrën të cilën është treguar i kujdesshëm të mos e tregojë.
Sjellja e kujdesshme ngre dyshime se e di që përballë ka një kamera sigurie.
E gjitha zgjat rreth 15 sekonda dhe autori largohet.
Filmimi më pas tregon përhapjen e zjarrit dhe shpërthimin e tritolit në derë në lokalit.
Këto pamje të mëngjesit ndërkohë tregojnë pasojat.
Dëmet në lokal janë të mëdha ndërsa autobusi është djegur plotësisht.
Polici Ndrek Rrasa në dëshminë e parë para kolegeve mohoi të ketë konflikte.
Hetimin e orientoi tek sulmi për shkak të detyrës si efektiv i policisë pranë sektorit të patrullës së përgjithshme.
Grupi hetimor ndërkohë nuk ka dalë në përfundime.
Kjo ishte hera e dytë në harkun e një jave kur efektivë të policisë së Shtetit në Shkodër janë objektiv i sulmeve me tritol e zjarr.
Më 14 Maj, u dogj makina në pronësi të efektivit Sokol Kroni.
Edhe ajo ngjarje u filmua, por autori nuk është identifikuar dhe mbetet i lirë.




