Nga vrasja e Fatmira Dedaj te sulmi me tritol i banesës së Talo Çelës, Dumani "zbardh" ngjarjet e bujshme kriminale nga 2012

Dëshmia e Nuredin Dumanit ka rikthyer hetimet për një sërë ngjarjesh kriminale. Një ndër to është vrasja në Durrës e 60-vjeçares Fatmira Dedaj. Dyshimet janë se ekzekutimi në hyrje të pallatit të saj në 14 shtator 2013 është realizuar nga Talo Çela.  Një akuzë të tillë e ka hedhur Nuredin Dumani kundër hasmit të vet Talo Çela, duke i pohuar prokurorëve të SPAK se vrasja ishte në shenjë hakmarje për djalin e saj, Ervis Dedaj.  Edhe ky i fundit është ekzekutuar në vitin 2012 në zonën e Golemit, por edhe kjo ngjarje mbetet e pazbardhur.

Ardian Uzuni, është një tjetër emër i arrestuar nga SPAK për akuzën e tentativës së vrasjes ndaj Filip Gjeloshit, një prej emrave të botës së krimit në Tropojë. Sipas dëshmisë së Nuredin Dumanit, Uzuni dhe persona të tjerë kanë planifikuar vrasjen e Filip Gjeloshit, por një gjë e tillë nuk është arritur të kryhet. Uzuni, dyshohet se është pjesë e një grupi kriminal që drejtohet nga Admir Tafili.

Plani i vrasjes së Florenc Çapjas në Elbasan dhe shkatërimit me tritol i banesës së Talo Çelës është një tjetër pjesë e dëshmisë. Në 5 nëntorin e vitit 2020 në Elbasan vendoset 2.8 kg lëndë shpërthyese në vilën e Çelës në Elbasan. Autori ishte  Eljo Bitri, vëllai i Lulzim Bitrit, i vrarë në tetor 2021 sëbashku me Ardjan Çollakun në Elbasan. Eljo Bitri dyshohet se ka pasur rolin e vëzhguesit në vrasjen e Endrit Alibejt, dajës së tij, Arben Dylgjeri, dhe nje turku, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 2018. Tentativa për t’i hedhur në erë banesën Talo Çelës, erdhi pasi ky i fundit tentoi të vriste Florenc Çapjen, plan i cili mbeti në tentativë.

Ervis Martini, është një tjetër emër që kërkon të arrestojë SPAK si pasojë e dëshmisë së Nuredin Dumanit. Mësohet se gjatë kontrollit të ushtruar në shtëpinë e Martinaj, nuk i është gjetur asnjë send i paligjshëm. Por gjatë kontrollit të hotel “Arbëria” në një nga dhomat e tij, policia ka gjetur në sirtar një automatik kallashnikov, plumba, 4 targa të huaja. Në këtë dhomë qëndronte Kevin Vuthaj, por edhe ky i fundit nuk është gjetur dhe është shpallur në kërkim nga SPAK.

SPAK, dyshon se Dumani është paguar me 100 mijë euro për vrasjen e Endrit Dokles, një tjetër personazhi të akuzuar për krime të rënda, që së fundi arriti të dalë nga burgu. Por vrasjen Dumani nuk e ka kryer për rrethana ende të paqarta deri tani.

Leonard Palushi, shefi i sektorit të vrasjeve në qarkun e Lezhës, ra në pranga në operacionin e SPAK. Ai më parë ka shërbyer si specialist në sektorin e vrasjeve, në drejtorinë e policisë Elbasan, dyshohet se shiste informacione tek grupet kriminale dhe dekonspironte operacionet e policisë, pikërisht gjatë kohës që punonte në Elbasan.Zyrtarisht, kreu i Policisë së Shtetit Gledis Nano tha se efektivi akuzohet për shpërdorim detyre, por nuk dha detaje të tjera.

Dy emra të arrestuar nga prokuroria e posaçme SPAK, janë Florenc Çekrezi dhe Agron Qafa. Të dy personazhet janë të njohur për policinë e Elbasanit, si të përfshirë në tregtinë e drogës. I arrestuari Florenc Çekrezi, është personazhi që i mbijetoi antentatit ku mbetën të vrarë Ardjan Çollaku dhe Lulzim Bitri, ngjarje kjo e ndodhur në tetor 2021.

Nga ana tjetër roli i Kamer Mehajt që tashmë është shpallur në kërkim nga SPAK, lidhet me tentativën e vrasjes së Arben Çetës, ngjarje kjo e ndodhur në 2012 në qytetin e Elbasanit.