Moisi Habilaj humb gjyqin në Romë, përfundimisht dënohet me 15 vite burg
Moisi Habilaj dënohet përfundimisht me 15 vjet e 5 muaj heqje lirie nga drejtësia italiane për akuzën e trafikut të drogës.
Vendimi ndaj tij ka marrë formë përfundimtare pasi Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesën e avokatëve kundër vendimit të gjykatës së Apelit, duke lënë në fuqi dënimin ekzistues.
Vendimi është dhënë të mërkurën,(18 maj 2022) pas seancës përfundimtare të zhvilluar në Romë. Mediat italiane shkruajnë se Moisi Habilaj përfundoi në vitin 2017 në qendër të hetimeve të operacionit antidrogë të koduar Rosa dei Venti nga policia e Katanias. Bashkë me Habilajn, i akuzuar për lidhje e bashkëpunim me ish-ministrin e brendshëm saimir tahiri, përfunduan në pranga edhe 11 persona të tjerë.
Pavarësisht vendimit të dhënë nga drejtësia Italiane, mediat njoftojnë se nga janari i vitit 2021 Moisi Habilaj ka humbur gjurmët. Pasi u dënua në gjykatën e shkallës së parë, Habilaj u mbajt në qeli deri në verën e vitit 2020 kur me kërkesë të avokatëve, 40-vjeccari u lirua dhe u la në arrest shtëpie pa mbikqyrje në shtëpinë e një të njohuri të tij në Calatino.
Në 17 dhjetor 2020 gjykata e Apelit konfirmoi dënimin e Habilajt me 15 vjet e 5 muaj heqje lirie. Gjurma e fundit e trafikantit në polici është data 30 dhjetor 2020 kur Habilaj u shoqërua për arësye të paqarta në komisariatin e Caltagirone dhe u kthye më pas në shtëpi pas një përballje prej disa orësh me agjentët.
Në këtë kohë sipas mediave italiane Habilaj takohet me gruan e tij të mbërritur nga Shqipëria dhe më pas humb gjurmët. Dosja e prokurorisë së katanias ndaj Moisi Habilajt u bë shkak për nisjen e hetimeve në Shqipëri ndaj ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri i cili pas një procesi disa vjeçar, u dënua në shkurt të këtij viti me 3 vjet e 4 muaj burg për shpërdorim detyre.
Sipas gjykatës, ish zyrtari u shpall fajtor pasi me veprime dhe mosveprime, kishte lejuar kanabizimin e vendit dhe kishte favorizuar grupin criminal të kushërinjve të tij Artan e Moisi Habilaj duke i lejuar përmes policisë që të kultivojnë drogë në Vlorë e ta trafikojnë atë drejt italisë.
Prokuroria italiane e përgjoi moisi habilajn duke folur me anëtarë të bandës së tij teksa tregonte se i kishte blerë dhurata e bizhuteri familjarëve të Saimir Tahirit.
