Në kërkim të presidentit konsensual, më 23 maj raundi i dytë

Socialistët dhe demokratët kanë edhe 6 ditë kohë për t’u dakordësuar me njëri-tjetrin për emrin e Presidentit të ri, pasi të hënën e 23 majit në orën 18:00 do të duhet të paraqiten ne seancën e posaçme parlamentare.

Mazhoranca nuk pranon kushtin e Enkelejd Alibeaj që në dy raundet e radhës, t’i jepet e drejta e propozimit vetëm e opozitës, por për konsum publik është e gatshme të ulet ta diskutojë draftin e demokratit.

Taulant Balla: "Nuk e zgjidh as ky as ky. Saliu dhe Ilir Meta nuk kanë për të zgjedhur kurrë president. Të drejtën për të propozuar emra nuk ia hiqni dot dhe nuk ia vini dot kusht"   

Edhe pse ky qëndrim nuk i shkon në favor, Alibeaj nuk është ende gati që në emër të opozitës të propozojë një kandidat në raundin e dytë.

Enkelejd Alibeaj: "Nuk dua të bëj pazar me emra"

Ky vendim nuk mbështetet nga Fatmir Mediu, i cili në konferencën e kryetarëve propozoi një rrugëzgjidhje për opozitën, pavarësisht qëndrimit të PS

Fjalimi të demokratit Enkelejd Alibeaj për moralin e politikës shqiptare mori një “shuplakë” jo nga kundërshtarët politik, por nga një deputet i listës së PD.

Fatmir Mediu: "Kjo opozitë 30 vjeçare që ka bërë krenar shumë shqiptarë dhe nuk mund të quhet historia 12 vjeçare e skutave. Ka pasur ditë të mira dhe të këqija, por përgjithësimi sikur politika po fillon sot për herë të parë nuk i shërben këtij procesi. 

Shfaqja e përçarjes jashtë dyerve të selisë blu manifestohet në çdo tryezë, edhe përballë kundështarëve të tyre, të cilët jo pak herë e përdorin politikisht.

Elisa Spiropali: Duhet të bini dakord kur të vini përballë nesh çfarë doni prej nesh,çfarë doni prej vetes dhe çfarë prisni nga ne.
 Partitë politike kanë afat deri të djelën në orën 16:00 që të depozitojnë në kuvend kandidatët për president me firmen e 20 deputetëve.