Nano në Hagë: Të vendosur për ta forcuar më tej bashkëpunimin mes Europol dhe Policisë së Shtetit
Në selinë e Europol, në Hagë, Holandë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, zhvilloi një takim me Drejtoreshën Ekzekutive të Europol, znj. Catherine De Bolle.
Takimi u zhvillua për prezantim pas marrjes së detyrës nga z. Nano, si dhe pas riemërimit të De Bolle, në mandatin e saj të dytë.
Në fokus të takimit ishte forcimi i marrëdhënieve dhe kontributi që Policia shqiptare jep jo vetëm në sigurinë e vendit, por edhe të BE-së, si dhe rritja e dimensionit të Policisë së Shtetit në operacionet e drejtuara dhe të koordinuara nga Europol.
De Bolle vlerësoi rezultatet e Policisë së Shtetit në luftën kundër narkotikëve e trafiqeve, si dhe ndaj krimeve kundër pronës, duke vënë theksin në rezultatet e arrira nga Task Forca Antiskifter.
Ndërsa Gledis Nano siguroi Drejtoreshën e Europol se Policia e Shtetit është e vendosur të bashkëpunojë me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit.
Nano: Rizgjedhja juaj në krye të Europol është një sinjal i mirë për të thelluar bashkëpunimin në drejtim të hetimeve dhe operacioneve të përbashkëta kundër grupeve kriminale që veprojnë në fushën e narkotikëve, krimeve ndaj personit e pronës, si dhe të krimeve ekonomike e kibernetike. Nano e vlerësoi Task Forcën Antiskifter si një model suksesi të bashkëpunimit të Policisë së Shtetit me Europol.

