Vlorë: Në 3 ditë, 4 makina të djegura. Mesazhe me flakë e benzinë
Një makinë tip kamionçinë u dogjë në orët e para të mëngjesit, (17 maj 2022) në Vlorë me zjarrvënie të qëllimshme.
Ngjarja ndodhi në lagjen “Hajro Çakërri” rreth orës 02:35.
Pronari Rushit Myrto Imeri thotë se kjo është hera e dytë që i djegin makinë.
Ai dyshon se autori mund të jetë i njejti person, por nuk jep motivet e konfliktit me të.
"Dyshoj tek ai personi që ma dogji herën e parë. Nëse ka dalë nga burgu e ka vendosur prapë. Punoj me mbetje plastike e hekura" thotë ai.
Nga flaket u dëmtua edhe një tjetër mjet i parkuar aty pranë.
Djegia e qëllimshme e makinave është një fenomen i përhapur masivisht në qytetin e Vlorës dhe gjithmonë është lexuar si një mesazh paralajmërues për pronarin e mjetit.
Vetëm në harkun e 3 ditëve në qytetin bregdetar janë djegur 4 mjete, ndërsa pak ditë më parë në Shkodër u dogj makina e një efektivi të policisë së Shtetit.
Shumica e ngjarjeve të tilla mbeten të pazbardhura edhe në disa raste autorët janë filmuar nga kamerat e sigurisë.


