Plagoset në lokalin e Noizyt ish-kandidati i PS-së, Ardit Kërtusha

Ardit Kërtusha, një personazh i politikës lokale në Durrës, i njohur dhe për funksionet zyrtare që ka mbajtur në administratë u plagos në një sulm me armë zjarri.

31-vjecari, ish-kandidati për kreun e PS në Durrës, u qëllua në një lokal që në qytetin bregdetar njihet në pronësi të reperit  Noizy.

Kërtusha, sipas burimeve, ishte duke pritur në ambientet e jashtme të lokalit të këngëtarit.

Autori i është afruar dhe pas një debati verbal e ka qëlluar me armë.

31-vjeçari Kërtusha sipas policisë ka marrë një plumb në këmbë për të cilën po trajtohet pa rrezik për jetën.

Autori i plagosjes ndërkohë është larguar nga vendi i ngjarjes, por burime thonë se tashmë ai është identifikuar dhe po punohet për ta arrestuar.

Në një njoftim paraprak, policia e Durrësit thotë se përdorimi i armës së zjarrit pasoi një konflikti të çastit, për motive të dobëta.

Por burime thonë se zanafilla e sherrit ka nisur një muaj më parë, kur Kërtusha dhe autori i plagosjes janë konfliktuar me njëri-tjetrin për një çështje të dyshuar pronësie.

Ardit Kërtusha, që rezulton se ka mbajtur disa poste drejtuese në administratën lokale në Durrës, në vitin 2020 kandidoi për drejtimin e degës së Partisë Socialiste.

Ai më pas u tërhoq nga gara duke hedhur akuza të forta ndaj drejtuesve të selisë rozë dhe ish-kryebashkiakut Vangjush Dako.

Në prag të zgjedhjeve të 25 prillit, iu bashkua Partisë Demokratike, asokohe të drejtur nga Lulzim Basha.

Plagoset në lokalin e Noizyt ish-kandidati i PS-së, Ardit
Zona ku ndodhi plagosja
Plagoset në lokalin e Noizyt ish-kandidati i PS-së, Ardit
I plagosuri Ardit Kërtusha