Një shekull Shqipëri-SHBA. Pompeo: Duhet vullnet për të shkulur korrupsionin e për të mbrojtur demokracinë
Në konferencën për 100 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-SHBA, Ish-sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo përcolli dhe mesazhin se duhet vullnet për të shkulur korrupsionin e për të mbrojtur demokracinë. Ndërsa ambasadorja Yuri Kim nënvizoi se shqiptarët janë bërë model i një vendi që mund të dalë nga shtypja e të kontribuojë për botën.
Tirane- Në kuadër të kremtimeve të100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomarike Shqipëri-SHBA, vendin tonë e vizitoi këtë të hënë (16 maj 2022) ish-Sekretari i Shtetit Mike Pompeo.
Në krah të ambasadores Kim dhe kryeministrit Rama, ish-kreu i diplomacisë amerikane apeloi për uljen e tensioneve politike në Shqipëri.
Duke vlerësuar rolin e Shqipërisë, Pompeo përcolli dhe mesazhin se duhet vullnet për të shkulur korrupsionin e për të mbrojtur demokracinë.
Mike Pompeo: "Ne, Departamenti ynë i mbrojtjes e ka vlerësuar këtë bashkëpunim. Edhe kur erdhën e më treguan për divizionin e plotë që do të ndihmojë t’ju forcojë ju ushtarakisht, të na forcojë dhe neve, dhe NATO të bëjë detyrën e saj. Unë kam shërbyer si ushtar në NATO, e dinim që një ditë do të ishte e rëndësishme që ne të ishim të aftë. Miqësia jonë vlen shumë, por dhe kapacitetet e ushtarakëve dhe diplomatëve. Kjo miqësi e fortë është e veçantë në këto 30 vitet e fundit për të konsoliduar demokracinë.
Edhe pas luftës do të duhet të ndihmojmë Ukrainën që të rindërtohet, të ndihmojmë miliona persona që janë larguar nga vendi. Kjo është diçka për të cilën ne do të punojmë së bashku. E shoh që kjo miqësi do të jetë edhe për 100 vite të tjera. Unë kam shërbyer si në opozitë dhe shumicën. Nuk ka rëndësi. Duhet vullnet i mirë për të mbrojtur demokracinë, shkulur korrupsionin dhe mbrojtur lirinë e popujve tanë dhe të rajonit".
Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim pohoi se lidhja mes dy vendeve është e pathyeshme.
Për ne është e rëndësishme që gjatë këtyre 100 viteve, përfshi dhe këto 30 viteve të fundit ka një fill të pathyeshëm të fortë, që tejshkon marrëdhëniet e SHBA-së, pavarësisht se kush ulet në Shtëpinë e Bardhë. Kjo lidhje është e pathyeshme.
Po ashtu, diplomatja amerikane Kim tha se dy vendet po punojnë për dy projekte të mëdha energjetike që do ta bëjnë Shqipërinë një lojtar kyç në arkitekturën e energjetikës.
Ndërkohë, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ndërsa vlerësoi kontributin e SHBA në Shqipëri, i përcolli një mesazh ish-kryeministrit Berisha.
Enkejeld Alibeaj: “Mbetjet e mentalitetit të diktaturës komuniste, pushtetarët e korruptuar, ata që kanë vënë interesin e tyre mbi atë të shqiptarëve kanë qenë dhe mbeten kërcënimi më i madh ndaj partneritetit tonë me ShBA.”
Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla theksoi se SHBA është partneri strategjik i Shqipërisë dhe përbën themelin e politikës së jashtme.
