Shkëputet ashensori i QSUT, ja gjendja shëndetësore e infermierit dhe pacientes 80-vjeçare. Shoqërohet tekniku dhe menaxheri

Ora News sjell detaje të reja të incidentit të ndodhur mbrëmjen e 15 majit 2022, në spitalin “Nënë Tereza”

Ka qenë ora 23:30 (15 maj 2022) kur infermieri së bashku me një paciente 80 vjeçar të cilët kanë qenë në katin -1 të godinës së spitalit kanë hipur në ashensor për tu ngjitur në katin e parë të spitalit.

Në mes dy kateve ashensori ka pësuar defekt dhe ka rënë në katin -1.

Të dy pacientja dhe infermieri janë lënduar.

"Infermieri ka dëmtime në pjesën e këmbëve, ndërsa pacientja 80 vjeçare që po transportohej me barrel ka marrë lëndime më të shumta” informon gazetari i Ora News, Edison Vatnikaj.

Nga policia e shtetit bëhet me dije se në komisariat është shoqeruar edhe tekniku i ashensorit i cili ka marrë përsipër montimin dhe garancinë lidhur me funksionimin e ashensorit.

Spitali tha në një reagim se ngjarja ndodhi në urgjencën e sëmundjeve të brendshme në kohën kur pacientja po transportohej për ekzaminime. Pas lëndimeve, asaj dhe mbajtësit të barrelës i është dhënë ndihma mjekësore ndërkohë që të dy të lënduarit, ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve.

Nga ana tjetër policia ka nisur hetimet në lidhje me ngjarjen. Menaxheri i kompanisë së mirëmbajtjes dhe kontrollit të ashensorëve është shoqëruar në komisariatin nr.4 që mbulon zonën, ku po merret në pyetje në lidhje me ngjarjen.

Ndërkohë QSUT, në reagimin e shpërndarë për median, thekson se të gjithë ashensorët e spitalit janë në një sistem mirëmbajtjetë plotë nga kompania e kontraktuar dhe shërbimet janë kryer periodikisht sipas kontratës në fuqi.

Shkëputet ashensori i QSUT, ja gjendja shëndetësore e infermierit