Kryeprokurori: Sfida korrupsioni dhe paratë e pista, organet e drejtësisë nuk mund të dështojnë
Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, ka mbajtur një fjalë në Konferencën “100 Vjetori i Marrëdhënieve Diplomatike SHBA-Shqipëri”.
Kryeprokurori u shpreh se Shqipëria mbetet e angazhuar për të vazhduar së bashku luftën ndaj çdo fenomeni kriminal që cenon sigurinë e shoqërive.
Ai theksoi se korrupsioni vazhdon të mbetet faktori më destabilizues për institucionet demokratike në nivel global, si dhe pastrimi i parave te pista.
Çela shtoi se organet e drejtësisë në Shqipëri kanë një përgjegjësi historike përballë qytetarëve shqiptare, por edhe ndaj partnerëve.
Çela: Ne mbetemi njëkohësisht thellësisht të angazhuar për të vazhduar së bashku luftën ndaj çdo fenomeni kriminal që cenon sigurinë e shoqërive tona. Megjithatë, sfidat qe na presin janë komplekse. Duhet theksuar se korrupsioni vazhdon të mbetet faktori më destabilizues per institucionet demokratike në nivel global, ndaj përballja serioze me të përbën një detyrë madhore për të gjithë, por veçanërisht për sistemin e drejtësisë. Ndërkohe, një problem jo më pak të rëndësishëm për sigurinë dhe sistemin ekonomik e financiar paraqet pastrimi i parave te pista. Ndërsa zhvillimi i paprecedentë teknologjik po rrëzon çdo barrierë fizike, duke na ekspozuar ndaj rreziqeve të panjohura më parë, qasja e agjencive ligjzbatuese nuk mund të jetë tjetër veçse ajo e bashkëpunimit të ngushtë në nivel ndërkombëtar.
Organet e drejtësisë në Shqipëri kanë një përgjegjësi historike së pari përballë qytetarëve shqiptare, por edhe ndaj partnerëve tanë që kanë dhënë gjithë mbështetjen teknike e financiare për forcimin e tyre. Dështimi nuk mund të jetë opsion. Duke e vlerësuar mbështetjen dhe ndihmën e ShBA në këtë drejtim si thelbësore edhe për të ardhmen, dhe këtu përfitoj nga rasti të falënderoj ambasadoren Kim për kontributin e jashtëzakonshëm në ecjen përpara të reformës në drejtësi, jam i bindur se ne kemi forcën dhe kurajon për të ndjekur të palëkundur rrugën tonë drejt ndërtimit të një shteti të së drejtës, të denjë për qytetarët e këtij vendi dhe partner cilësor në ansamblin e vendeve demokratike.

