Eksperti i ekonomisë: Do të rritet sërish çmimi i vajit të lule diellit. Në vendin tonë priten të vijnë 5 mijë ton grurë
Eksperti i ekonomisë Klodian Muço, është shprehur se në të ardhmen do të ketë rritje të çmimit të vajit të lulediellit, ndërsa shtoi se do të ketë mungesa në treg.
Në një intervistë për Ora News, me gazetaren Siklajda Shorja, Muço tha se çmimi i grurit nuk do të rritet, teksa bëri me dije se së shpejti në vendin tonë pritet të vijnë 5 mijë ton grurë.
Klodian Muço: Lufta në Ukrainë ka ndikuar në ekonomi dhe me shumë gjasa do të ketë mungesa vaji në të ardhmen dhe çmimet do të rriten. Bëhet fjalë për vajin e lule diellit. Përsa i përket grurit, edhe nga Ukraina sot dërgohet grurë në vendet e tjera të Europës përfshirë këtu dhe Shqipërinë. Së shpejti pritet një furnizim me 5 mijë ton grurë pikërisht nga Ukraina. Çmimi i grurit nuk do të rritet më. Nuk ka pritshmëri që çmimet të rrite më shumë sesa janë sot, përveç vajit të Lule Diellit.
Problemi është se kjo rritje çmimesh, u kushton familjeve shqiptare, u kushton mesatarisht 6200 më tepër në muaj. Në momentin që nuk kemi një rritje të rrogave, të pagave, kemi një reduktim të konsumit e të punës, dhe kjo do të ketë efekte në ekonomi.
Ndër të tjera ai tha se: qeverisë në të ardhmen i rritet borxhi publik dhe do e ketë të vështirë të dalë në tregjet ndërkombëtare për të siguruar borxh të ri.
