Ja si nisa të këndoj, rrëfehet Tiri Gjoci: Kënga "Lamtumirë" i dedikohet një personi të zemrës

Tiri Gjoci  është këngëtari 29-vjeçar nga Kavaja. Tanimë  është një ndër artistët  më të veçantë që spikat në tregun muzikor shqiptar.

Karriera e tij muzikore nisi kur ishte vetëm 14 vjeç, teksa përballja e fuqishme me publikun ishte në bashkëpunimin me këngëtarin e ndjerë Doktor Flori, në vitin 2013 me këngën “Zemërthyer”. Në vitin 2014 fitoi çmimin “Grupi më i mirë” në “Kënga Magjike”. Pjesëmarrja në “The Voice of Albania 5” i dha Tirit çmimin e parë në vitin 2016, përballë konkurrentit tjetër, këngëtarit Lorenc Hasrama. Në po të njëjtin vit, ai mori pjesë në dy festivale të tjera, “Kënga Magjike”  me këngën “Pa ty”  si dhe në festivalin e 55-të  në RTSH me këngën “Më zgjo”.

Në  2019 artisti erdhi me 4 projekte muzikore, tri videoklipet “Zemër” , “Kujtimet”, dhe “Dielli”. Muzika e teksti i kësaj të fundit të punuara nga vetë ai. Gjithashtu ishte pjesëmarrës në festivalin e 58-të në RTSH, me këngën “Me gotën bosh”.

I ftuar në emisionin “Jeto me orën” Tiri Gjoci rrëfeu më shumë për karrierën e tij muzikore. 

Në shkurt të këtij viti Tiri u rikthye fuqishëm në skenë me këngën “Lamtumirë”, këngë që qëndroi tri vite në “sirtar”, por sipas tij ia vlejti pasi pas publikimit kënga u prit shumë mirë nga publiku. Gjatë periudhës së pandemisë duket se Tiri ka punuar për shumë projekte të cilat do vijnë shumë shpejt për publikun.

Edhe pse me shumë vështirësi në artin shqiptar ai ka arritur të ngjisë shkallët e suksesit. Edhe pse këngët e tij janë larg komerciales dhe shumë pranë artit të vërtetë duket se kjo gjë ka qenë dhe vazhdon të jetë një sfidë e vërtetë për Tirin.

Ai u shpreh se “Publiku është qëndra ime dhe ëndrra e çdo artisti është që të hyjë në zemrat e publikut sepse në fund të fundit çdo këngë për ta po serviret”.

Tiri rrëfeu se rrugëtimi i tij në muzikë nisi krejt rastësisht pasi e nisi çdo gjë me një kitarë të bërë dhuratë nga vëllai i tij dhe nxitësi i tij më i madh është po ashtu vëllai i tij. Fillimisht ai nuk donte të bëhej pjesë e “The voice of Albania” por kur fitoi çmimin e parë reflektoi, madje ua sugjeroi dhe të tjerëve.

Kënga e tij e fundit me titull “Lamtumirë” i dedikohet një personi shumë të dashur për të që nuk jeton më.  Së fundmi po xhiron edhe këngën e tij të fundit me tekst nga Neda Balluku. Ndërsa si këngën që ai e ka më përzemër veçoi këngën me titull “Dielli”.