"Babi nuk pati djalë, damarin artistik e gjeti tek unë" Anjeza Kolevica flet për rrënjët e saj në qeramikë
Anjeza Kolevica, artistja e artit të qeramikës, e bija e të madhit Vasillaq Kolevica ka krijuar një botë artistike të veçantë.
Ajo ka kryer studimet në Itali, në Institutin e Arteve “Francesco Antonio Grue”, ku është diplomuar me titullin “Maestro d’Arte” dhe specializuar në teknologjinë e qeramikës dhe të glazurave. Artistja ka qenë pjesëmarrëse në shumë ekspozita brenda dhe jashtë vendit dhe e vlerësuar me çmime të veçanta, ndërsa pak muaj më parë solli për artdashësit ekspozitën e saj “Forms of spiritual, Gravity”.
Në një rrëfim në emisionin “Jeto me Orën”, në RTV Ora, artistja kujtoi fëmijërinë, periudhën e shkollës dhe suksesin e ekspozitës.
“Nga mbiemri normal që kam një peshë dhe përpiqem ta përfaqësoj denjësisht. Mbaj mend që kam qenë shumë e vogël, mbaj mend kujtimet e para, që 3 vjeçe, kur babai kishte punishten e tij. I kujtoj si çaste të lumtura të fëmijërisë. Dhe mamaja ime është artiste, dhe pse ka vendosur të qëndrojë në hije. Koloret e tim eti, i ka punuar gjithmonë ajo", u shpreh Anjeza.
"Në moshën e adoleshencës pata një lëkundje dhe nuk doja të merresha me qeramikë, por pasi kjo faze vegjëlimi kaloi e kuptova se vokacioni im është qeramika. Mbështetja ime më e madhe ka qenë babai im. Qeramika kërkon dhe pak forcë fizike, babai duke qenë se nuk pati një djalë, shikonte tek unë damarin e artistes, edhe kur unë dembelosesha, ai ishte i qetë sepse e dinte që do të kthehesha",tha ajo.
"Vepra e parë ka qenë një autoportret. Ekspozita që hapa para disa muajsh ka qenë komplekse sepse përbëhej nga shumë skulptura, më ka marrë disa vite. Nisi si ide e vogël dhe më pas më mori shumë kohë. U inspirova nga universi. Por artisti inspirohet nga situata të ndryshme, njeriu, natyra. Unë tani inspirohem nga fenomene dhe gjëra të panjohura. Ekspozita ishte e suksesshme, ishte e para personale për mua, duke qenë se ishin shumë vepra, vendosa ta hapja në tri ambiente, kështu mund ta quaj edhe si tri ekspozita. Kam pasur shumë emocione" tha Anjeza.
Gjithashtu ajo tregoi dhe për përvojën e saj të fundit.
"Përvoja e fundit për të cilin dua të flas është një event i rëndësishëm, “Homo faber”,në Venecia. Shumë event i veçantë, i kuruar nga emra të njohur në fushën e artit. Ndihem e privilegjuar.Aty ishte dhe një artist tjetër shqiptar që përfaqësonte Anglinë, ky ishte dyfish emocion”, tha ajo.
