Amaneti vihet në vend. Emri i Hasan Prishtinës përjetohet në bronz. Nipi rrëfen si iu realizua ëndrra në Vlorë

Hasan Prishtina është një ndër figurat më të mëdha të historisë së shtetit shqiptar. Një hero me shumë dimensione. Diplomat ekselent , atdhetar dhe luftarak deri në vetëmohim në emër të kombit shqiptar.
Kryeministri i 8 i Shqipërisë, një nga ideologët kryesorë të tezës: “Pa Kosovë nuk ka Shqipëri”. Hasan Prishtina lindi në vitin 1873 në qytetin e Vushtrisë. Në gjakun e tij rridhte kultura e familjes së bejlerëve , një ndër më të nderuarat në vend. Mësimet e para i kreu në vendlindje dhe më pas u shkollua në gjimnazin frëng të Selanikut. Ndërsa studimet e larta i kreu në qytetin e Stambollit për juridik.
Një patriot që është përjetësuar falë veprave dhe kontributit të padiskutueshëm që ka në historinë e vendit tonë. I ftuar në emisionin “Jeto me orën” në RTV Ora stërnipi i tij Mehmet Prishtina rrëfeu më shumë për atë si figurë historike, por edhe për përjetësimin e figurës së tij në qytetin e Vlorës që u nderua para disa ditësh.
Me aktivitetin që u zhvillua në Vlorë për rijetësimin e figurës historike Hasan Prishishtina, duket se u përmbush ëndrra 100 vjeçare e gjithë Kosovës dhe familjarëve të tij, një amanet që më në fund u çua deri në fund.
Mehmet Prishtina: “Në kohën e luftës në Kosovë të gjithë u larguan. Komunikimi i fundit me babin tim ka qenë nëpërmjet telefonit sepse më pas u vra. Para se të vdiste më la 2 amanete të cilat më në fund u çuan në vend”.
Eventin e ndodhur në Vlorë para pak ditësh Mehmet Prishtina e quan si një mrekulli pasi ishin prezentë dhe shumë figura politike dhe jo vetëm. Pjesëmarrja ishte shumë e madhe ku kishte të ftuar nga të gjitha trevat shqiptare.
Kur grupi polifonik mori vesh që do rijetësohej figura e Hasan Prishtinës realizuan një këngë e cila i emocionoi të gjithë.
Monumenti i tij u vendos afër universitetit “Ismail Qemalit” dhe diagonal me figurën e tij.