Shkrimtari Skënder Sherifi vjen me “Corona and co”

Skënder Sherifi konsiderohet si një ndër shkrimtarët shqiptarë, më të njohur  jo vetëm brenda vendit por edhe jashtë.  Ibrahim Rugova e konsideronte Sherifin si “mrekulli e botës shqiptare”. Rugova përktheu në shqip dy nga vëllimet me poezit të Sherifit “Lojë dhe kundërlojë” dhe “Oksigjen”.

Ai është vlerësuar për veprat e tij të shumta si “ Dega e pikëlluar”, “Lojë dhe kundërlojë”, “Oksigjen”, “Poezi”, “Ora e meteorëve”, “Pasion”, “Atelietë e ëndrrave”, “Trio e përjetshme”, “Silenzio”, “Love”, “Love Songs, 1 dhe 2”, Odiseja e dashurisë, “Corona and co”.  Skënder Sherifi është vlerësuar me titullin “Mjeshtër i Madh” për kontributin e tij në botën letrare shqiptare.

I ftuar në emisionin “Jeto me orën” Sherifi tregoi për të gjithë rrugëtimin e tij drejt artit të të shkruarit.

Skënder Sherifi: “Një dilemë shumë e madhe e imja ka qenë pasi e shikoja veten dhe në film por edhe në shkrim, dhe më në fund fitoi fjala dhe jo imazhi”.

Sipas tij arti është diçka fantastike pasi ai mbush të gjitha hapsirat shpirtërore, pasi në botën moderne është bërë çdo gjë teknologji, pasi pas viteve 90’çdo gjë duket qartë se është elektronizuar.

Në vitin 1976 ai u cilësua nga një profesor francez si një fenomen i natyrës, dhe që nga ai moment ai u bë babai i tij shpirtëror. Momentet e kaluara me këtë profesor Sherifi i cilëson si një përrallë.  Edhe pse ai ka ikur nga Shqipëria që në moshën 1 vjeçare nuk e ka harruar gjuhën shqipe pasi në familjen e tij shqipja ishte primare.

 Kultura e tij e të shkruarit u vlerësua edhe nga vetë Ibrahim Rugova i cili e ka cilësuar si mrekullia e botës duke i thënë se librat e tij do lexoheshin gjithmonë edhe kjo gjë ka rezultuar e vërtetë. Libri më i ri që ai ka sjellë për publikun është ai i titull “Love songs 2”, një libër me poezi që flasin për dashurinë. Madje Skënderi ua sygjeron këtë libër artistëve që të realizojnë tekstet e këngëve të tyre me poezitë e këtij libri. Një tjetër libër mjaft interesant i shkruar nga ky shkrimtar intelektual është ai me titull “Corona  and Co” i cili flet për të gjitha problemet që solli pandemia dhe pasojat e lëna prej saj.