Rama sulm ndaj SPAK: Jo i njëanshëm! Drejtësia e re duhet të veprojë 360 gradë

Prej javësh shefi i ekzekutivit tashmë publikisht nuk po e fsheh më pakënaqësinë ndaj Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion.

Ky qëndrim zhgënjyes ndaj SPAK sipas Edi Ramës nuk lidhet me hetimet e drejtësisë ndaj zyrtarëve të qeverisë socialiste, por heshtja e tij ndaj Sali Berishës po i sos durimin politik.

Rama: Të kërkosh më shumë nga drejtësia nuk do të thotë të bësh presion. Çfarë presioni është të kërkosh hetimin e një ish-presidenti, ish-kryeministri të shpallur non grata nga Shtetet e Bashkuara? Të hetohen 21 janari, të hetohet Gërdeci.

Kryeministri Edi Rama nuk pranon akuzë apo kritikë në gjuhën shqipe apo në anglisht, se ai me pushtetin e qeverisë po i bën presion drejtësisë.

Rama: Ndërhyrjen për presion nuk ma thotë dot askush as anglisht, as shqip, as frengjisht, as gjermanisht, në asnjë gjuhë fare.Unë jam shumë dakord këtu me Ambasadoren amerikane, adresa është gabim. Ne duam drejtësi 360 gradë, nuk duam drejtësi që të jetë e pjesshme dhe e njëanshme.

Edhe pse me respekt, kërkesën e kreut të SPAK Arben Kraja që Kryeministri të mos merret me deklarata politike por të bëjë kallëzime, Rama e quajti lajthitje.

Rama: Këtë avokat Ngjela e quante lajthitje në objekt. Kam shumë respekt për Arben Krajën, për drejtuesin e SPAK. Pse duhet të vijnë kallëzime nga partitë politike? Çfarë do Arben Kraja nga unë, çfarë kërkon?

Edhe pse Rama nuk dakordësohet me metodën e denoncimeve nga partitë politike, vetë Ministri i Drejtësisë ka kallëzuar penalisht një nga gjyqtaret që i ka dalë kundër kësaj mazhorance.

Rama: Ka çuar rastin më skandaloz, e kam thënë publikisht. Nuk shoh të ketë ndonjë veprim akoma. Pronën na e ka marrë një gjykatëse te Garda e Republikës.

Të njëjtin veprim Rama do ta bëjë edhe me kryebashkiakët socialistë që nuk kanë bashkëpunuar siç duhet me pushtetin qëndror.

Rama: Do të keni kallëzime në SPAK për kryetarë bashkie të Partisë Socialiste.

Edi Rama sëbashku me Ministrin e Drejtësisë, përveç Berishës, Metës dhe socialistëve rebelë, kërkon që para drejtësisë të dalin edhe prokurorë dhe gjyqtarë që nuk e kanë kaluar procesin e vettingut.