CIA: Nuk ka prova për armë bërthamore

CIA ka qetësuar botën sa i përket kërcënimeve të Rusisë me armë bërthamore. Sipas kreut të Inteligjencës amerikane Uilliam Burns deri tani nuk ka vend për shqetësime, megjithëse nuk përjashtoi mundësinë që ato të përdoren nëse Putin humb në Ukrainë.

Drejtori i CIA-s, William Burns ka shuar zërat se Rusia mund të përdorë armët bërthamore në mes të ofensivës në Ukrainë.

Përmes një interviste për mediet ndërkombëtare kreu i Agjencisë amerikane të Inteligjencës tha se CIA nuk ka parë asnjë provë praktike se presidenti rus Vladimir Putin mund të përdorë taktika bërthamore.

“Ne si komunitet inteligjence nuk shohim prova praktike në këtë pikë të planifikimit rus për vendosjen apo edhe përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore taktike. “

Armët taktike bërthamore janë pajisje më të vogla, me rendiment të ulët që mund të hidhen nga aeroplanët, të vendosen në raketa me rreze të shkurtër veprimi ose të gjuhen nga artileri.

Rendimenti i tyre zakonisht varion nga më pak se një kiloton në 100 kiloton. Bomba atomike e hedhur në Hiroshima gjatë Luftës së Dytë Botërore kishte një rendiment prej 15 kilotonësh.

William Burns megjithatë dyshon se presidenti rus nuk mund ta përballojë dot humbjen në Ukrainë dhe i bëri thirrje Shteteve të Bashkuara që të qëndrojnë të fokusuara për kërcënimet e mundshme bërthamore.

Kremlini ka thënë së fundmi të premten, se Rusia nuk do të përdorë armët bërthamore pasi sipas Moskës nuk mund të ketë fitues nga një luftë nukleare, megjithëse që prej 24 shkurtit Kremlini ka provokuar një konflikt katastrofal të tillë.

Presidenti ukrainas Zelenski muajin e kaluar tha se ishte i bindur se Rusia do të përdorte armë kimike ose bërthamore dhe i bëri thirrje perëndimit që të qëndrojë në gatishmëri.

Mediet perëndimore kanë pretenduar vazhdimisht se Rusia vendosur forcat e saj të parandalimit bërthamor në gatishmëri të lartë në fillim të konfliktit në Ukrainë.

Dyshimet e tyre vijnë pas kërcënimeve të presidentit Putin, i cili paralajmëroi vendet perëndimore se nëse do t’i kundërvihen forcave ruse në Ukrainë do të përballen me pasoja që nuk janë parë ndonjëherë në histori.