Kievi njofton se pothuajse të gjithë civilët janë evakuuar nga Mariupoli

Pas rreth 2 muajsh duket se drama e civilëve të ngujuar në fabrikën e çelikut në qytetin e Mariupolit ka marrë fund. Ukraina ka njoftuar se pothuajse të gjithë ata janë shpëtuar, ndërsa presidenti Zelenski zotohet të evakuojë edhe ushtarët edhe pse afati i ultimatumit rus për armëpushim ka përfunduar të shtunën.

Për shkak edhe të interesit të madh të ndërkombëtarëve, por edhe të vetë ukrainasve, fabrika e çelikut në Mariupol është bërë lajmi i ditës duke eklipsuar madje edhe vetë luftën e armatosur dhe shkatërrimet e përditshme të pallateve apo edhe spitaleve kryesisht në lindje të Ukrainës.

Kievi ka bërë me dije se mbeten edhe afro 100 civilë për t’u evakuuar nga fabrika famëkeqe.

Të paktën 300 të tjerë mundën të shpëtoheshin të shtunën sipas presidentit Zelenski, falë edhe koordinimit me Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe Kryqit të Kuq.

Zelenski njofton se faza tjetër është evakuimi i mjekëve dhe personave të plagosur që gjenden në fabrikë.

Ai gjithashtu shton se Kievi do të përpiqet që të evakuojë edhe ushtarët ukrainas.

“Tani po përgatitemi për fazën e dytë të misionit të evakuimit, për të plagosurit e mjekët. Sigurisht nëse të gjithë i përmbahen marrëveshjeve. Sigurisht nëse nuk ka gënjeshtra. Ne po punojmë gjithashtu për të evakuuar ushtrinë tonë, të gjithë heronjtë që mbrojnë Mariupolin. Kjo është jashtëzakonisht e vështirë, por është e rëndësishme. “- tha presidenti ukrainas.

Armëpushimi treditor i vendosur nga Rusia ka përfunduar pasditen e së shtunës edhe pse forcat e Moskës janë akuzuar vazhdimisht për shkeljen e marrëveshjes për hapjen e korridoreve humanitare në Mariopul.

Evakuimi i ushtarëve bëhet më i pamundur me përfundimin e armëpushimit e po ashtu duke marrë parasysh që i gjithë qyteti port i Mariupolit është i rrethuar nga forcat ruse.