Ukraina hoqi dorë por jo NATO, Stoltenberg: Nuk do pranojmë kurrë aneksimin e Krimesë

NATO është e vendosur të ndihmojë Ukrainën për sa kohë që Putini vazhdon luftën, edhe nëse duhen muaj apo vite. 

Në të njëjtën kohë, Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg dëshiron të "bëjë gjithçka" për të parandaluar përhapjen e konfliktit. Gjermania luan një rol qendror në këtë drejtim, tha ai në një intervistë për gazetën gjermane Welt.

Stoltenberg theksoi gjithashtu se NATO nuk do ta pranojë kurrë aneksimin e Krimesë.

"Anëtarët e NATO-s nuk do të pranojnë kurrë aneksimin e paligjshëm të Krimesë. Ne gjithmonë kemi kundërshtuar kontrollin rus mbi pjesë të Donbasit në Ukrainën lindore."

Deklaratat e Stoltenberg pasojnë ato të presidentit Zelensky, i cili tha se Ukraina do të ishte e gatshme të pranonte një marrëveshje paqeje me Rusinë nëse forcat ruse tërhiqen “në pozicionet e tyre të 23 shkurtit”, një ditë para nisjes së luftës.

Zelensky u shpreh se nuk priste kthimin e Krimesë të aneksuar nga rusët në 2014.

“Nga ana jonë, jo të gjitha urat diplomatike janë djegur “, tha ai.

I pyetur nëse do të ishte i gatshëm të hiqte dorë edhe nga rajoni i Donbasit, Zelensky tha se nuk u zgjodh presidenti i një mini-Ukraine.

“Unë u zgjodha president i Ukrainës nga populli ukrainas, jo president i mini-Ukrainës”, shtoi ai.